Aksidentet në rritje, ekspertët rrugorë: Vijëzimi i rrugës së Porcelanit është problematik
2020 nisi tragjikisht. Një aksident i ndodhur në rrugën ”Xhanfize Keko” në Tiranë, i mori jetën 2 këmbësorëve. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ka folur eksperti për sigurinë rrugore Gëzim Hoxha. Ai thekson se dy mjetet e aksidentuar kishin shkelje të rënda por shkeljet më të rënda i ka Bashkia sepse ka thyer kodin rrugor. ”Kemi një të metë të bashkisë, bashkia është ende një pronare e rrugës; në qytetin e Tiranës, sipas kategorive të ndara ka rrugë me 2 korsi për çdo sens levizjeje dhe me trafik ndarëse, në mes shpejtësia është 80 km në orë thotë Kodi Rrugor por bashkia nuk ka vënë tabelë as për 40 as për 80 dhe thuhet se është qytet dhe qendër e banuar. Kjo nuk është e vertetë, sepse duhet të kundërshtojmë kodin e para dhe e dyta unë kam parë dhe autostrada ndërqytetase në botë dhe rrugë interurbane si këto që kemi ne që shpejtësia është 80 km në ore. Vijat e kalimit të këmbësorëve duhen rishikuar nga bashkia, s’mund të vendosen pas kthesës sepse drejtuesi i mjetit nuk ka fushë-pamje”.
Hoxha nënvizoi se problematikat me Kodin Rrugor nisin që në shkolla e përfundojnë me Ministrinë e Mbrojtjes e cila nuk po bën mbikqyrjet e duhura për Autoritetin Rrugor. ”Ne kemi dështuar me këtë lloj sistemi që kemi madje do thosha që kur numri arrin 200 ta krahasojmë me tërmetin, na shkundi por na zgjoi nga gjumi; sepse ka mbi 200 të vdekur pa folur për ata që kanë mbetur të gjymtuar, kjo është një histori e madhe që kërkon të shkunden si tërmeti, duhet parë duhen bërë analiza përse ndodhin këto. Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurimit dhe të bëhet një program dhe të bëhet një plan se nuk mund të vazhdohet më kështu, vjet 100 e ca sivjet 100 e ca. Programi që kemi nuk po funksionon sepse ne nuk kemi një autoritet mbikqyrës që të mbikqyrë Autoritetin Rrugor, Ministria e Mbrojtjes thotë që i bën, po nuk i bën madje nuk ka as stafin e përshtatshëm për ti bërë”.
Më tej eksperti shtoi se autoshkollat nuk shpjegojnë si duhet Kodin Rrugor, nuk bëjnë interpretim dhe shpjegim më të zhvilluar në rrugë teknike. Kurse eksperti tjetër i sigurisë rrugore, Fatmir Hashon, thotë se sinjalistika në këtë segment rrugor është e paplotë dhe nuk i orienton qartë drejtuesit e automjeteve që të kalojnë pa rrezikuar. ”Mjetet marrin një lloj shpejtësie dhe nuk arrijnë përmes sinjalistikës së vendosur ta rregullojnë sepse mungon sinjalistika që njofton se ka një rrugë që kalon majtas. Ketu vija duhet të ishte e pandërprerë, pra të ndalonte mjetet të kalonin nga njëra korsi në tjetrën dhe andej të rrinin vetëm mjetet që do të ktheheshin majtas, të kishte një shigjetë në rrugë që tregon se kthimi është majtas. Të lajmërohet në krahun që vjen me tabelë që kemi devijim rruge”.
Nga ana tjetër, ai kshillon që edhe drejtuesit që vijnë nga Kodra e Priftit të respektojne sinjalistiken. ”Asnjë nga makinat që vijnë nga rruga anësore nuk ndalon sipas sinjalistikës horizontale të vendosur, por duhet thënë që mungon edhe sinjalistika horizontale, pra vija e ndalimit të mjeteve. Të gjitha ndalojnë ose mbi vijat e këmbësorëve ose dalin 1 metër në korsinë që vjen nga poshtë”. Po për ekspertin e sigurisë rrugore e gjithë rruga e porcelanit ka nevojë për një rimatje të trafikut. Pas rikontruksionit, kjo rrugë ndahet në 3 korsi, 2 në drejtim të qendrës e 1 drejt Kinostudios. Ky vijëzim i ri jo vetëm ka rritur paqartësinë tek drejtuesit e automjeteve, por sipas ekspertit ka disa probleme. Edhe makinat që ndalojnë anash rrugës janë një burim trafiku e rreziku për aksidente. “Në këtë rast puna e policisë rrugore dhe e policisë bashkiake duhet të jetë e vazhdueshme, sidomos në këto akse ku ka levizje të shtuar mjetesh, asnjë sekondë nuk duhet të ndalojnë”.
Problem është edhe shpeshtësia e vijave të bardha. “T’i shkurtojmë pak sepse për drejtuesit e automjeteve është stres më vete, që kur ti sapo merr gaz për të levizur të del përpara një vendkalim i ri këmbësorësh, ku je i detyruar të ndalosh”. Policia e Shtetit shprehet se rruga e Porcelanit po monitorohet vazhdimisht duke vepruar përmes paralajmërimeve dhe gjobave për drejtuesit që thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor. Për tabelat paralajmëruese të tabelave të këmbësorëve duhet të kishte tabela që lajmërojnë vendkalimet e këmbësoreve.