Aksidentet, publikohet rregullorja tranzitore e Fondit të Kompensimit, ja si do të bëhet klasifikimi me periudha i dëmeve

Në zbatim të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar projektrregulloren “Për mënyrën e administrimit dhe pagesave të dëmeve Fond Kompensimi me datë aksidenti përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 32/2021”. Ky dokument do t’i nënshtrohet procedurës së konsultimit publik përpara se të miratohet nga Bordi i AMF-së.

Kjo projektrregullore përcakton rregullat e administrimit dhe pagesave të praktikave, objekt i Fondit të Kompensimit, me datë aksidenti përpara hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Të gjitha kërkesat për dëmshpërblim me datë aksidenti përpara hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” trajtohen, paguhen dhe rimbursohen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit sipas legjislacionit në fuqi në datën e aksidentit.

Ndërsa, kërkesat për dëmshpërblim me datë aksidenti pas 1 korrikut 2021 trajtohen, paguhen dhe rimbursohen sipas dispozitave të Ligjit nr. 32/2021, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Për ngjarjet e ndodhura përpara hyrjes në fuqi të Ligjit 32/2021, nëse pala e dëmtuar i drejtohet shoqërisë së sigurimit, kjo e fundit e drejton tek Byroja, e cila regjistron kërkesën për dëmshpërblim dhe fillon procedurat e trajtimit dhe pagesës sipas legjislacionit dhe akteve rregullatore në fuqi në datën e aksidentit.

Në bazë të ndryshimeve ligjore, në aksidentet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara, që ndodhin pas datës 1 korrikut, të dëmtuarit i lind e drejta që kërkesën për kompensim ta bëjë te shoqëria e sigurimit ku ai ka prerë policën e tij të sigurimit dhe rasti i dëmshpërblimit do të trajtohet direkt nga ajo, sipas procedurave dhe afateve në fuqi të përcaktuara edhe për trajtimin e dëmeve të tjera. Kjo do të sjellë reduktim të kohës së trajtimit dhe pagesës së dëmeve, pasi procedurat do të ndiqen direkt nga shoqëritë e sigurimit, pa qënë e nevojshme që të kalojnë nëpërmjet Byrosë.

Gjithashtu, në projektrregulloren e nxjerrë për konsultim nga AMF është përcaktuar edhe një dispozitë e fundit, ku Byroja Shqiptare e Sigurimit më datë 30 qershor 2021, gjeneron të dhënat analitike të të gjithë kërkesave për dëmshpërblim të regjistruara në Regjistrin Elektronik të Dëmeve Fond Kompensimi dhe më tej në datën 1 korrik i depoziton ato në Autoritet.

SHKARKO APP