Aksidentet rrugore, 76 të vdekur në 7 muaj

Aksidentet me pasoja të rënda në Shqipëri vijojnë të mbeten në shifra të larta. Vetëm përgjatë këtij 7 mujori në të gjithë vendin kanë humbur jetën 76 persona, 15 prej tyre vetëm në Tiranë. Në Shqipëri, nga janari e deri më 15 korrik kanë humbur jetën 76 persona, ndërsa kur jemi në pikun e sezonit veror vetëm në Tiranë për të njëjtën periudhë kanë humbur jetën 15 persona. Shumica e aksidenteve të rënda ndodhin si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ku sipas statistikave, nga 583 aksidente rrugore 493 prej tyre janë shkaktuar nga drejtuesit.

Një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve në rrugë, është tejkalimi i shpejtësisë gjatë drejtimit të mjetit. Në autostradën që lidh Kavajën me Rrogozhinën, në vetëm pak minuta, u konstatuan disa raste të tejkalimit të shpejtësisë edhe pse ajo e lejuar është 90km/h. Njësia Operacionale për Sigurisë Rrugore, patrullon në të gjithë vendin por megjithatë një pjesë e drejtuesve të mjeteve ende nuk janë ndërgjegjësuar. Policia rrugore, në rast të konstatimit që mjeti po qarkullon me shpejtësi mbi 118 km në orë, kur norma është 90, bën menjëherë pezullimin e patentës. Këto janë disa nga rastet kur këtyre mjeteve, pas njoftimit të dhënë për tejkalim shpejtësie, do t’u bëhet ndalimi nga një tjetër patrullë, në vazhdimësi të rrugës. Për rastet e tejkalimit të shpejtësisë, policia rrugore prej disa kohësh aplikon edhe gjobat elektronike. Radari i cili fikson targën e makinës e cila po ecën mbi normat e lejuara, i përcjell printerit të dhënat dhe drejtuesi i mjetit njihet menjëherë me masën administrative.

Në 2018-n raporti i aksidenteve me pasojë jetën në Shqipëri ishte 75 për 1 milionë banorë, sipas përllogaritjeve bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT. Në raport me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria renditet ndër vendet me normanë më të lartë, së bashku me Maqedoninë e Veriut, e cila për vitin që lamë pas shënoi rritje të aksidenteve fatale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas Eurostat, Rumania është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve për shkak të aksidenteve rrugore për 1 milionë banorë, ndonëse ky raport u ul me 4 për qind në krahasim me një vit më parë. Në vend të dytë renditet Bullgaria me 88 vdekje për 1 milionë banorë. Edhe në Bullgari aksidentet fatale ranë me 9%. Në vend të tretë renditet Maqedonia, me rreth 80 vdekje/ 1 milion banorë, ku ishin rritur me 11%. Po ashtu, në krye të klasifikimit renditet Letonia, me 78 vdekje/1 milion banorë, Kroacia me 77 dhe Polonia me 76. Serbia renditet në vend të tetë pas Shqipërisë, ku në 2018-n atje raporti ishte 69 vdekje për 1 milionë banorë, rreth 7% më pak krahasuar me një vit më parë. Bazuar në këtë renditje është e dukshme se rrugët në Europën Lindore janë më të rrezikshme në krahasim me pjesën tjetër të kontinentit europian. Për 2018-n Mbretëria e Bashkuar shënoi vendin me numrin më të ulët të vdekjeve si pasojë e aksidenteve rrugore, me 28 vdekje për çdo 1 milionë banorë, rreth 2.6 herë më pak se në Shqipëri. Edhe në vendet si Danimarka, Irlanda dhe Norvegjia, numri i aksidenteve me humbje jete për 1 milionë banorë varionte nga 30-32.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në të gjithë Bashkimin Europian sipas Eurostat numri i vdekjeve si pasojë e aksidenteve rrugore për 1 milion banorë ishte 49. Për fat të mirë numri i tyre ka qenë në rënie, ku në krahasim me 1 vit më parë ishin 1% më pak, ndërsa nga 2010, vdekjes si pasojë e aksidenteve rrugore ranë me 21%.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?