Aksidenti me 3 viktima, 19-vjeçari frenoi veç 27 metra nga rrethrrotullimi kur ishte mbi 200 km/h

Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe 23-vjeçarja Sikela Përroj po udhëtonin me makinën tip “Audi” me shofer 19-vjeçarin Klevis Ruçaj, kur automjeti doli nga kontrolli dhe përfundoi disa metra poshtë një nënkalimi në unazën lindore të Tiranës.

Sipas policisë, makina ka qenë me drejtim lëvizje nga Farka për te rrethrrotullimi pranë një qendre tregtare. Për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, mjeti nuk u fut në rrethrrotullim, por u përplas me barrierat anësore duke i çarë ato e duke përfunduar disa metra më poshtë, ku u përplas me një tjetër makine që po udhëtonte drejt Elbasanit.

Si pasojë e përplasjes tre pasagjerët në automjetin tjetër Honda mbetën të plagosur. Dy vajzat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa pas disa orësh betejë për jetën në spital ndërroi jetë edhe shoferi 19-vjeçar.

Nga matjet e kryera në terren nga ekspertët rezultoi se Audi udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i ka pasur vetëm 27 metra larg rrotullimit duke mos pasur asnjë mundësi për shmangien e aksidentit.

SHKARKO APP