Aksidenti me 8 viktima në Këlcyrë, dy të arrestuar. Të gjithë emigrantët ishin pakistanezë
Hetimet për zbardhjen e dinamikës së tragjedisë së djeshme në Këlcyrë ku humbën jetën 7 emigrantë të huaj dhe shoferi shqiptar, kanë hyre në fazë të re.
Për llogari të Policisë dhe Prokurorisë Gjirokastër është arrestuar sot A. Gj. 26 vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe ndaluar R. D. 23 vjeç po nga Shkodra. Të dy këta persona akuzohen për veprën penale “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërkaq pas 10 orësh prej aktivizimit të grupit të kriminologeve dhe specialisteve mjeko-ligjore të mbërritur nga kryeqyteti, mësohet se është zbuluar identiteti i 3 nga 8 viktimave të aksidentit te djeshëm, ndërkohë që për të tjerët ka qenë e pamundur të zbulohet identiteti i tyre.
Besohet se të gjithë emigrantët ishin pakistanezë.
Identifikimi i tyre pritet të bëhet përmes gjurmëve daktiloskopike dhe analizës së ADN. Në vijim, në bashkëpunim edhe me INTERPOL pritet të krijohen komunikim zyrtar me autoritetet pakistaneze për dërgimin e trupave të pajetë atje.