Aksidenti tragjik me 10 viktima në Kroaci, gjykata lë në burg shoferin e autobusit
Shoferit të autobusit nga Kosova, që është aksidentuar të dielën në Sllavonski Brod të Kroacisë, i është shqiptuar masa prej 30 ditësh paraburgim.
Gjykatësi i rastit, Mille Solldo, ka deklaruar për media se paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut që i dyshuari mund të arratiset.
Ai ka shtuar se Kroacia ka marrëveshje bashkëpunimi me Kosovën në çështjet penale, ndonëse e njëjta nuk parasheh edhe ekstradimin e shtetasve kosovar, andaj edhe është caktuar masa e paraburgimit.
“Procedurat do të zhvillohen në Kroaci. Por, sipas marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Kroacise, ekziston mundësia ligjore që procedura të zhvillohet edhe në Kosovë. Por, për këtë duhet pajtimi i dy shteteve. Mbrojtja mund ta kërkojë një gjë të tillë, por propozimi duhet të bëhet nga shteti”, ka thënë ai.
Gjykatësi Solldo ka thënë se gjatë ditës së martë, pritet të merren në pyejtje edhe disa dëshmitarë.
Zëvendës-Prokurori i Shtetit për qarkun në Sllavonski Brod, Franjo Kopuniq, ka thënë se i dyshuari do të dërgohet në burg.
“Ai është deklaruar sot vetëm rreth paraburgimit dhe nuk ka dhënë asnjë dëshmi”, ka deklaruar për gazetarët Kopuniq.
Ai ka shtuar se i pandehuri nuk ka paraqitur ende mbrojtjen e tij dhe se vendimi për kryerjen e hetimeve do të merret gjatë ditës.
I dyshuari është mbrojtur në heshtje edhe të hënën. I pyetur se pse shoferi në deklaratën paraprake ka thënë se ishte i lodhur dhe i paaftë për të drejtuar automjetin dhe pastaj është mbrojtur në heshtje gjatë marrjes në pyetje, Kopuniq ka thënë se kjo gjë ka rezultuar nga mënyra në të cilën ishte kryer vepra, gjurmët e gomave dhe të gjitha rrethanat e tjera.
Ai ka konfirmuar se do të kërkohet ekspertizë e detajuar e autobusit.Shoferi do të mbrohet nga dy avokatë – Igor Cishper dhe Lubo Pavasoviq Viskoviq.
“Në asnjë moment ai nuk më tha se e kishte zënë gjumi,” u ka thënë Cishper gazetarëve.
Si pasojë e aksidentit të së dielës, kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur. Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë. Njëri shofer ka vdekur, ndërsa tjetri, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit, besohet se ka shkaktuar aksidentin.
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar të martën për lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksident. Mehaj ka thënë se 15 persona janë duke u trajtuar ende, ndërkaq njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Sipas tij, të liruarve nga spitali dhe pjesës tjetër të udhëtarëve do t’iu sigurohet transporti përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut./ Marrë nga REL