Aksidenti tragjik në Berat, Policia bën fajtore viktimën: Humbi kontrollin

Nënë e bir humbën jetën në një aksident tragjik në Berat dy ditë më parë, dhe sot Policia e Shtetit jep versionin e saj përfundimtar.

25-vjeçarja Klaudia Xhaferraj dhe djali i saj 6-vjeç, Samueli përfunduan në lumin Osum, pasi mjeti që nëna drejtonte humbi kontrollin. Sipas Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, shkak për aksidentin tragjik është bërë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e drejtueses. Lajmi është bërë i ditur nga Specialisti i qarkullimit rrugor në DVP Berat dhe Oficeri i Policisë Gjyqësore, inxhinieri Lorenc Tanushi.

Në një prononcim për mediat, Tanushi ka pohuar se humbja e kontrollit të mjetit është shoqëruar edhe me mungesën e përvojës, pasi 25-vjeçarja kishte pak javë që kishte marrë patentën dhe ishte një drejtuese e re në timon.

“Nga studimi i të gjitha kamerave të sigurisë është vërejtur manovrimi majtas-djathtas, një karakteristikë kjo e drejtuesve të rinj, të pajisur me leje drejtimi. Aksi Ura e Goricës-Ura e Varur është një aks problematik dhe me risk pasi ka shumë fluks mjetesh, si pjesë kryesore e segmentit rrugor nacional Lushnje-Skrapar”.

Po ashtu, Tanushi ka konfirmuar se në këtë aks rrugor, që nga policia është cilësuar si aks me risk të lartë, Policia Rrugore ka përqendruar shërbimet e saj policore çdo ditë me tre turne dhe ky segment është monitoruar prej tyre në mënyrë të vazhdueshme.

SHKARKO APP