Aksidenti tragjikisht në Rumani, i jepet sot lamtumira e fundit pesë tifozëve të PAOK-ut
Sot i jepet lamtumira e fundit pesë nga shtatë viktimat e aksidentit tragjik të ndodhur në Rumani, ku një furgon me tifozë të PAOK-ut u përplas me një kamion, duke shkaktuar humbje të rënda njerëzore.
Në Aleksandri të Imathias, atmosfera është e mbushur me dhimbje. Në orën 11:00, trupat e tre të rinjve do të mbërrijnë në Kishën e Ngjitjes së Virgjëreshës Mari, ku familjarë, miq dhe të afërm do t’u japin lamtumirën e fundit Vasilis Palos, Kostas Markopoulos dhe Dimitris Maronitis. Ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 13:00.
Ndërkohë, në Selanik, në zonën e Efkarpias, në orën 12:00 do të mbahet ceremonia mortore për Giorgos Kesanidis, në Kishën e Shën Irinit Chrysovalantou. Po ashtu, në orën 13:00, në Stefaninë të komunës së Volvës, familjarët do t’i japin lamtumirën e fundit Thanasis Gouzouris, në Kishën e Shën Dimitrios.
Sakaq, vijon ankthi për gjendjen shëndetësore të një 20-vjeçari, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet i shtruar në Klinikën e Neurokirurgjisë në spitalin “Papageorgiou” në Selanik. Sipas mjekëve, ai është jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar plagët më serioze mes të mbijetuarve. Një tjetër i plagosur, 28 vjeç, u largua ditën e djeshme nga i njëjti spital, pasi shprehu dëshirën për të marrë pjesë në ceremonitë mortore të shokëve të tij.
Lajme inkurajuese raportohen edhe nga Rumania për një tjetër 20-vjeçar të plagosur, i cili po trajtohet në spitalin e Timișoarës. Sipas agjencisë APE-MPE, mjekët kanë ulur nivelin e qetësimit dhe i riu ka reaguar duke lëvizur gjymtyrët, me përjashtim të krahut të thyer. Ai do të vijojë të qëndrojë i intubuar për arsye mjekësore, për të shmangur komplikacione në frymëmarrje pas ndërhyrjes kirurgjikale. Një bord mjekësor pritet të vlerësojë në ditët në vijim mundësinë dhe kohën e riatdhesimit të tij.
KOHA JONË SONDAZH

