Aksion në Tiranë, makina luksoze nën kontroll për verifikimin e burimit të pasurisë
Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze në kryeqytet, në kuadër të verifikimit të origjinës së mjeteve dhe burimit të të ardhurave të përdorura për blerjen e tyre.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, “Shqiponjat” dhe Policinë Rrugore. Gjatë kontrolleve janë verifikuar dhjetëra automjete luksoze.
Për identifikimin e mjeteve është përdorur një pajisje e specializuar, e cila mundëson kontrollin e të dhënave teknike dhe identifikuese të automjeteve. Pas verifikimeve në sistem, specialistët kanë shqyrtuar dokumentacionin që lidhet me pronësinë, origjinën, si dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tyre.
Paralelisht janë kryer edhe hetime financiare për të verifikuar burimin e të ardhurave me të cilat janë blerë automjetet, me synim evidentimin e rasteve kur pasuritë mund të jenë krijuar nga veprimtari kriminale ose kur mjetet dyshohen se janë trafikuar në mënyrë të paligjshme.
Sipas Policisë, materialet e mbledhura gjatë kontrolleve i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Policia e Tiranës bën të ditur se kontrollet ndaj automjeteve luksoze do të vazhdojnë edhe në vijim, si pjesë e luftës kundër pasurive me origjinë kriminale, pastrimit të parave dhe trafikimit të mjeteve.
KOHA JONË SONDAZH

