Aksionet e Facebook bien vrullshëm, vlera ulet me më shumë se 50 miliardë dollarë
Aksionet e Facebook ranë të martën edhe me 5 për qind duke ndjekur trendin e ditës më të keqe të kompanisë në katër vjet. Më shumë se 50 miliardë dollarë janë zhdukur nga vlera e tregut të Facebook këtë javë. Investitorët e dënuan Facebook mbasi kompania Cambridge Analytica, e cila kishte lidhje me fushatën e Presidentit Trump në 2016, përdori informacion privat nga rreth 50 milionë përdorues të Facebook-ut për të ndikuar tek votuesit. Kriza e kompanisë është përhapur në të gjithë tregun, duke marrë me vete kompanitë e teknologjisë dhe të mediave sociale. Sektori i teknologjisë i S&P 500, një indeks i tregut te aksioneve në Amerikë, humbi 2 për qind të martën, me në krye rënien më 9 për qind të Twitter-it. Snap Inc. ra 4 për qind.
Facebook është një nga kompanitë më të vlefshme të Amerikës, me një vlerë tregu prej rreth 500 miliardë dollarësh. Humbja prej 50 miliardë dollarësh në vlerën e tregut këtë javë është më e madhe se vlerësimet e tregut të Ford, eBay dhe Delta. Ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani të Madhe kanë bërë thirrje për themeluesin dhe shefin ekzekutiv Mark Zuckerberg që të dëshmojë për atë që ai di mbi të dhënat e kompromentuara dhe politikat e Facebook-ut për të mbrojtur privatësinë e përdoruesit. Zuckerberg ka rreth 400 milionë aksione të Facebook dhe ka humbur rreth 7 miliard dollarë në vlerë që nga mbyllja e tregut të së premtes.
Megjithatë ai ende zotëron 70 miliardë dollarë aksione në kompani dhe pozicioni i tij është e sigurt sepse ai kontrollon shumicën e votave të aksionerëve të Facebook. Lajmet negative dhe mundësia e rregullave më të forta kanë bërë që investitorët të shkarkojnë disa nga resurset e tyre në Facebook, tha Benjamin Schachter, një analist në Macquarie Capital. Facebook fiton para duke shitur reklama në platformën e saj. Nëse përdoruesit largohen, sepse ata janë të shqetësuar për privatësinë, ose nëse kompanitë dhe reklamuesit ulin shpenzimet, modeli i Facebook mund të jetë në rrezik.
“Rritja e ulët në numrin e përdoruesve dhe reklamave janë rreziqet më të rëndësishme për aksionerët,” shkruan analisti i Morgan Stanley, Brian Nowak.Të dy analistët presin që Zuckerberg do të shkojë në sulm për të shtypur presionin e ligjvënësve dhe për të rivendosur besimin e investitorëve.”Ne kërkojmë që Facebook të jetë më i qartë për gabimet që ka bërë, veprimet e paqëllimshme që kanë ndodhur në platformë dhe mënyrën si synon që t’i rregullojë ato,”-tha Nowak. ( Përkthyer nga “KOHA JONE”)
/CBS/