Aksioni te Dogana e Tiranës, policia jep detajet: U shoqëruan 7 persona
Vijon zbatimi i planit të masave për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, porteve e aeroportit, doganave dhe çdo objekti të rëndësisë së veçantë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në tërësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike.
Në vijim të kontrollit të zhvilluar ditë më parë në Portin e Durrësit, mesditën e sotme kontrolli është përqëndruar në doganën e Tiranës, me qëllim kontrollin e personave që hyjnë dhe dalin në doganë, kontrollin e mjeteve dhe mallrave, si edhe të ambienteve dhe lokaleve përreth doganës.
Në operacion u përfshinë 200 forca policie nga FLO, DVP Tiranë dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Për kontrollin e territorit krahas punonjësve të Policisë u përdorën drone dhe qen antidrogë.
U kontrolluan 67 kamionë, 23 magazina dhe objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim, disa vula të dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme.
Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme 7 persona.
Policia e Shtetit do vijojë kontrollet në të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital apo në numrin 112, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e të paanshëm.