“Aktiv1sti”, PS kërkesë mediave: Mos publikoni të dhënat personale, do procedojmë sipas ligjit
Partia Socialiste ka bërë një kërkesë zyrtare lidhur me aplikacionin “Aktiv1sti” për të cilin thotë se është pronë e saj, ku kërkon nga mediat audivizive dhe elektronike që të mos publikojnë të dhënat personale të siguruara nga ndërhyrja e kundraligjshme në aplikacion. PS-ja thotë se e ka denoncuar publikisht dhe ka njoftuar ndjekjen e rrugëve ligjore për ndërhyrjen e paligjshme në infrastrukturën e saj elektronike, konkretisht aplikacionin “Aktiv1st” dhe më tej manipulimet e kryera me qëllim mbi të dhëna të caktuara të marra në shkelje të ligjit.
Njoftimi i plotë
Regjistrimi në aplikacion si në çdo aplikacion kërkon disa të dhëna bazike që përshtaten me tipologjinë e aplikacionit. Të dhënat e plotësuara nga përdoruesi, përveç emrit dhe mbiemrit të cilat janë njëkohësisht edhe llogaria e tij në aplikacion, nuk shfaqen tek përdoruesit e tjerë. Këto të dhëna qëndrojnë në llogarinë e përdoruesit, mund ti shohë vetëm individi i regjistruar dhe nuk shfaqen në asnjë hapësirë tjetër. Askush, përfshirë edhe vet PS-ja si krijuese e aplikacionit nuk ka autorizim prej përdoruesve që të kryejë publikimin e të dhënave.
Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon nga mediat audiovizive, mediat elektronike dhe të gjitha platformat e portalet online që të refuzojnë në çdo rast publikimin e të dhënave të pjesshme apo të plota qofshin ato, që pretendohet se janë siguruar nga ndërhyrja e kundraligjshme në paltformën elektronike “Aktiv1st”, pronë e P.S.SH si dhe të fshijnë çdo informacion nga përmbajtja e faqeve të tyre të internetit të publikuar deri tani.
Sjellim në vëmendjen tuaj se Kodi Penal i RSH (neni 186/a K.P, 192/b, 239/a, 293/b, 293/c) ka kriminalizuar ndërhyrjet e paautorizuara kompjuterike, përgjimin e të dhënave kompjuterike, ndërhyrjet e paautorizuara në të dhënat kompjuterike etj., dhe çdo posedim i të dhënave të përfituara nga kryerja e veprave penale sjell pasoja sipas ligjit.
Gjithashtu, të dhënat e siguruara nga ndërhyrja e kundraligjshme nuk mund dhe nuk duhet të publikohen në asnjë rast nga ana e mediave pasi këto të fundit nuk kanë statusin ligjor për një veprim të tillë në bazë të parashikimeve të ligjit Nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Neni 6 dhe 7 të ligjit 9887/2008 kërkon domosdoshmërisht marrjen e pëlqimit në mënyrë të qartë nga subjekti i të dhënave personale, në të kundërt publikimi i tyre bie automatikisht në paligjshmëri.
Publikimi i të dhënave të përfituara nga kjo ndërhyrje vjen në kundërshtim edhe me ligjin Nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Kodin Etik të medias shqiptare pasi informacioni në fjalë nuk është tjetër veçse një produkt i veprës penale, dhe cenon rëndë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit.