Aktivisti i LVV-së shiste ekstazi në Tiranë, opozita thirrje prokurorisë. Reagon partia e Kurtit: Do të marrin një vendim
11 mijë doza ekstazi u sekuestruan nga Policia e Shtetit. Në këtë operacion u arrestuan Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Arrestimi i anëtarit të asamblesë së Komunës së Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes Besnik Mujeci, sipas kreut të LDK, Lumir Abdixhiku, është dëshmi e këmbënguljes së partisë së Kurtit për ta bërë atë disa muaj më parë aksioner në stacionin e linjës së autobusëve Prishtinë-Tiranë.
”Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistohej atëherë”, akuzon Abdixhiku. Ai i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës të hetojë në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces. Partia Demokratike e Kosovës dënoi rastin përmes një deklarate për median, ku i kërkohet drejtësisë atje të veprojë.
Arlind Manxhuka ka reaguar në lidhje me arrestimin e Besnik Mujecit, ku thotë se po zhvillojnë një mbledhje urgjente për këtë rast dhe do të marrin një vendim. ”Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin”,-tha Manxhuka sekretar për mediat në LVV.
KOHA JONË SONDAZH

