Akuza për “shpërdorim detyre”, reagon Dhori Kule: Më hetoni, s’kam konflikte me askënd
Pasi Krimet e Rënda nisën hetimet me akuzën për ‘shpërdorim detyre’, ka reaguar dekani i Ekonomikut Dhori Kule.
Përmes një reagimi, Kule theksoi se ishte i hapur për hetim. Ai tha se kontrolli zyrtar ka konfirmuar shkelje të rënda. Ai tha se nuk ka konflikt me askënd.
“Kontrolli zyrtar ka konfirmuar shkelje të rënda. Jam i hapur për hetim. Nuk kam bërë kallëzim penal ndaj Konit. Zhurma nuk duhet të sfumojë realitetin e Universitetit të Tiranës. Janë firmosur kontrata financiare në spital. Ne si dekanë i kemi bërë të ditur shkeljet që në tetor. Duhet të merremi me ngërçin e Universitetit. Nuk kam konflikt me askënd. Rruga e vetme e zgjidhjes së situatës është largimi i Rektorit. Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk me ka njohur me akuzat, lajmin e mësova nga mediat”, tha Kule. Ndërkohë, edhe rektori i UT-së Mynyr Koni deklaroi dje se ishte i hapur për hetime, pasi prokuroria ka nisur edhe ndaj tij një hetim për këto dy akuza.
Krimet e Rënda çelin hetim për Konin dhe Kulen
Burime zyrtare pranë organit të akuzës thanë për gazetaren Klodiana Lala se kanë regjistruar procedimin penal për akuzat e “korrupsionit” dhe “shpërdorimit të detyrës” pas dyshimeve se janë kryer abuzime me tenderat nga drejtues të lartë të Universitetit të Tiranës. Hetimi duket se ka lidhje me mënyrën e administrimit të fondeve të Universitetit, megjithatë burimet pranë prokurorisë, janë tejet të rezervuara për të dhënë detaje lidhur me faktet penale.
Grupi hetimor, është duke kryer veprimet e para, siç është sekuestrimi i dokumenteve, për të vijuar më tej me pyetjen e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe dekanit të Ekonomikut Kule, si dhe personave të tjerë që mund të kenë dijeni për vepra të mundshme penale. Kjo është hera e dytë që emrat e profesorëve lakohen në institucionin e prokurorisë për Krime të Rënda. Dy vite më parë, të dy dhanë shpjegime përpara prokurorëve, për kërcënimin e bërë nga Emiljano Shullazi, i cili kërkonte tërheqjen e Mynyr Konit nga gara për Rektor i Universitetit të Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

