Akuzat e Çuçit, ILD: Sa herë duhet marrë përgjegjësi, cenohet drejtësia
Për ngjarjet kriminale, sot ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri fajtor sistemin e Drejtësisë si dhe nxorri emra prokurorësh e gjyqtarësish. që sipas tij po lirojnë kriminelët nga burgjet e vendit. Duke mos pranuar akuzat në drejtim të punës së saj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë thotë se me keqardhje konstaton se është bërë traditë cenimi i pavarësisë së magjistarëve dhe institucioneve të pavarura atë drejtësisë sa herë që kërkohet marrja e përgjegjësive duke ia vënë fajin gjyqtarëve.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë u njoh me deklaratat publike të ministrit të Brendshëm z. Bledi Çuçi, me anë të të cilave janë paraqitur pretendime lidhur me disa vendimmarrje të magjistratëve dhe rolit të ILD-së. ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive.
Për transparencë ndaj publikut, prioritet i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet, i të gjitha pretendimeve të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë lidhur me veprimet, mosveprimet ose shkeljet e magjistratit brenda apo jashtë funksionit të tij, në ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.
Këto parime duhet t’i respektojë çdo institucion në vend, si standarde dhe vlera të një shoqërie demokratike dhe të garantimit të shtetit të së drejtës. Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.