Akuzat ndaj SPAK, reagon Altin Dumani: Nuk më ndikon retorika e përditshme politike apo mediatike
Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha sot në një takim se retorika politike apo mediatike nuk ka ndikim mbi të apo prokurorët e posaçëm.
“SPAK është përpjekur të ndërtojë marrëdhënie të mira me shoqërinë civile dhe vazhdojmë të jemi bashkëpunues. Lidhur me gjetjet, shumica e çështjeve që hetohen kërkojnë kohë të hetohen dhe gjykohen. Çështjet e korrupsionit kërkojnë kohë, me teknikat speciale të hetimit. Dhe kur përdor teknikat speciale kërkon kohë, ashtu sikundër hetimi i krimit të organizuar. Nuk mund të krahasosh hetimin e prokurorisë së juridiksionit të zakonshëm, të cilët procedojnë edhe me gjykim të drejtpërdrejtë.
Dua të orientoj dy gjëra, e para retorikën politike apo mediatike. Jam imun dhe nuk kanë fare ndikim, as mbi mua , por as te prokurorët. Nuk na shqetëson. Të fundit që sollën ishin 12 hetuesit financiarë. Ju duhet të hidhni sytë edhe nga prokuroritë e zakonshme se ata hetojnë korrupsionin e vogël dhe qytetari është drejtpërdrejt i prekur aty“, ka thënë Dumani.
Ndërkohë SPAK është nën presionin e fortë të grupit te Berishës, sapo SPAK kërkoi arrestimin e tij.