Alarm në qiellin e Lituanisë: NATO ngre avion luftarak pas dyshimit për një dron mbi Vilnius

Për disa dhjetëra minuta, qielli mbi kryeqytetin lituanez u shndërrua të dielën në një zonë alarmi, pasi autoritetet dyshuan se një dron kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë. Aeroporti i Vilniusit u mbyll përkohësisht dhe NATO aktivizoi një avion luftarak për të verifikuar kërcënimin e mundshëm.
Ngjarja, e cila ndodhi më 13 shtator 2026, riktheu në vëmendje ndjeshmërinë e skajit lindor të NATO-s, në një kohë kur vendet baltike dhe shtetet e tjera të krahut lindor të Aleancës janë në gatishmëri të shtuar për shkak të incidenteve të përsëritura me mjete fluturuese pa pilot.
Sipas Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave të Lituanisë, një avion luftarak u ngrit nga baza e Šiauliai, në veri të vendit, ku aktualisht është dislokuar Forca Ajrore Italiane në kuadër të misionit të NATO-s për Mbrojtjen Ajrore të Baltikut.
Pas identifikimit të një sinjali të dyshimtë në radar, autoritetet lituaneze vendosën të mbyllnin përkohësisht aeroportin e Vilniusit dhe aktivizuan masat e reagimit ajror. Situata u trajtua si një kërcënim potencial, duke pasur parasysh jo vetëm afërsinë gjeografike me Rusinë dhe Bjellorusinë, por edhe përvojën e fundit të vendeve të NATO-s me dronë që kanë hyrë ose kanë devijuar në hapësirën ajrore të tyre.
Avioni i NATO-s u ngrit nga Šiauliai për të kryer identifikimin vizual të objektit të dyshuar. Por ajo që në radar dukej si një objekt potencialisht i rrezikshëm rezultoi të ishte diçka krejt tjetër.
Pas verifikimit nga ajri, autoritetet konfirmuan se sinjali i përkiste një tufe zogjsh dhe jo një droni. Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave shpjegoi se në leximet fillestare të radarit, gjurmët e krijuara nga zogjtë mund të ngjajnë me ato të një droni.
Pas identifikimit vizual, alarmi ajror u hoq dhe aeroporti i Vilniusit u rihap. Sipas Reuters, i gjithë incidenti zgjati rreth 38 minuta.
Edhe pse alarmi rezultoi fals, reagimi i autoriteteve lituaneze dhe i NATO-s tregon nivelin e lartë të vigjilencës në krahun lindor të Aleancës.
Baza ajrore e Šiauliai-t është një pikë e rëndësishme e arkitekturës së mbrojtjes ajrore të NATO-s në Baltik. Prania e avionëve aleatë në këtë rajon synon të sigurojë një reagim të shpejtë ndaj çdo kërcënimi apo shkeljeje të mundshme të hapësirës ajrore. Vetë aeroporti i Šiauliai-t është i certifikuar për operacione të NATO-s.
Incidenti i së dielës vjen në një klimë të tensionuar sigurie në Evropën Verilindore. Finlanda, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë raportuar raste të ndryshme të mjeteve fluturuese pa pilot që kanë hyrë ose dyshohet se kanë devijuar në hapësirat e tyre ajrore, në një kontekst të lidhur me luftën Rusi–Ukrainë.
Një detaj që i jep incidentit edhe një dimension tjetër është se, pavarësisht alarmit, Maratona e Vilniusit vazhdoi sipas programit. Organizatorët i thanë Reuters se aktiviteti sportiv nuk u ndërpre nga situata e krijuar në hapësirën ajrore të kryeqytetit.
Kështu, ajo që për disa minuta dukej si një tjetër episod i përshkallëzimit të luftës së dronëve mbi Evropën Lindore, përfundoi pa pasoja dhe pa konfirmim të ndonjë shkeljeje nga një mjet luftarak pa pilot.
Por vetë fakti që një tufë zogjsh mjaftoi për të mbyllur përkohësisht një aeroport ndërkombëtar dhe për të ngritur në ajër një avion të NATO-s është domethënës: në hapësirën ajrore të Evropës së sotme, kufiri mes alarmit, dyshimit dhe kërcënimit real është bërë jashtëzakonisht i hollë.
Një sinjal i paqartë në radar nuk mund të merret më thjesht si një gabim teknik. Në një Evropë që jeton nën hijen e luftës në Ukrainë dhe të një sërë incidentesh ajrore përgjatë kufirit lindor të NATO-s, çdo pikë e panjohur në qiell kërkon verifikim.
Dhe këtë herë, pas ngritjes së avionit luftarak, përgjigjja ishte më e qetë nga sa u trembën shumëkush: nuk ishte një dron. Ishin zogj.
Por alarmi, për pak çaste, ishte krejt real.
Prg: Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

