Alarm në Spanjë dhe Portugali: Stuhia Marta pritet pas shkatërrimeve të Leonardos
Një “tren stuhish” me erëra dhe shira të njëpasnjëshëm ka goditur Spanjën dhe Portugalinë, duke detyruar tashmë 11,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Stuhia Leonardo goditi Gadishullin Iberik, ndërsa agjencia shtetërore spanjolle e motit AEMET ka paralajmëruar se një tjetër stuhi, Marta, është në rrugë e sipër dhe pritet të godasë rajonin me shi dhe borë fundjavë. Mijëra njerëz po evakuohen mes frikës nga përmbytje të tjera, ndërsa gati 170 rrugë janë mbyllur në të gjithë Spanjën dhe shërbimet hekurudhore portugeze janë ndërprerë.
Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq. Një burrë rreth 70 vjeç vdiq në rajonin jugor Alentejo të Portugalisë të mërkurën, pasi makina e tij u mor nga ujërat e përmbytjeve. Policia njoftoi se një trup u gjet jo larg vendit ku një grua u mor nga një lumë në Malaga, Spanjë, ndërsa ajo po përpiqej të shpëtonte qenin e saj.
Nivelet e ujit janë rritur ndjeshëm, duke detyruar evakuime gjatë natës në zonat pranë lumit Guadalquivir në Kordoba, Spanjë. Juan Manuel Moreno, udhëheqësi rajonal i Andaluzisë, deklaroi në një konferencë shtypi se priten 30 mm shi fundjavë. Ai theksoi se në rrethana të tjera kjo do të ishte pak ujë, por tani është shumë, pasi toka nuk është në gjendje të thithë dhe lumenjtë e rezervuarët janë plot. Në fshatin malor spanjoll Grazalema, 1,500 banorë u evakuuan pasi uji depërtoi nëpër mure.
Më keq akoma, malet atje janë prej shkëmbi të përshkueshëm që shpërbëhet nëse thith shumë ujë, duke çuar potencialisht në kolapsin e tyre strukturor.
Fermerët spanjollë paralajmëruan se shirat e rrëmbyeshëm kishin lënë fushat të zhytura në ujë, duke shkaktuar tashmë dëme me vlerë miliona euro në kultura. Ministria e Bujqësisë e Portugalisë gjithashtu tha se vlerësimet paraprake i vendosin humbjet për shkak të stuhive në rreth 650 milionë paund (750 milionë euro). Miguel Angel Perez, nga organizata e fermerëve COAG në provincën Kadiz të Andaluzisë, shprehu shqetësimin se kultura si brokoli, karotat dhe lulelakrat janë nën ujë, duke e quajtur situatën një “katastrofë të vërtetë natyrore”.
Po kështu kryeministri portugez Luis Montenegro njoftoi se qeveria e tij kishte zgjatur gjendjen e fatkeqësisë në 69 bashki deri në mes të shkurtit, duke shtuar se reshjet “të paprecedenta” dhe rreziqet e përmbytjeve kërcënonin disa rajone. Mario Silvestre, komandanti i shërbimit portugez të mbrojtjes civile ANEPC, tha se gjashtë lumenj ishin në rrezik të përmbytjeve të mëdha. Baseni i lumit Tagus u vendos në alarm të kuq të enjten për shkak të rritjes së papritur të rrjedhës së ujit. Banorët e qytetit portugez Alcacer do Sal treguan se si u detyruan të largoheshin me asgjë tjetër veç rrobave që kishin veshur.
Marrë nga Sky News
KOHA JONË SONDAZH

