Alarmi për shpërthimin e fruthit

Drejtoria e Shëndetit Publik jep alarmin për shpërthimin e fruthit, por edhe rrezikun nga virozat stinore për shkak të uljes së temperaturave. Ndaj pranë institucioneve të arsimit parashkollor, kopshte dhe çerdhe të cilat janë hapur prej datës 3 janar, ata kanë kërkuar nga drejtuesit që çdo ditë të kontrollojnë fëmijët.

Kryesisht për këto simptoma, temperaturë, kollë, këputje, puçra në lëkurë. Madje duke ju kërkuar që fëmijët që kanë këto simptoma të mos i pranojnë në këto institucione dhe t’i drejtojnë rastet te mjeku specialist.

Sipas Shëndetit Publik, ky vendim është marrë për shkak të infektimit të tre fëmijëve nën 1 vjeç që frekuentojnë çerdhen, me fruth. Situata sipas mjekëve rëndohet edhe më shumë për shkak se nga viti në vit numri i fëmijëve të pavaksinuar ka ardhur në rritje. Kjo për arsye se janë shumë prindër që kanë zgjedhur të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre, nga frika e efekteve anësore.

Vitin e kaluar janë identifikuar me fruth rreth 800 raste, ndërkohë që u regjistruan edhe 2 vdekje në fëmijët e vegjël. Rreziku për shpërthimin e fruthit vjen edhe për shkak të mosfunksionimit të zinxhirit të vaksinave për të lindur në vitet 1980-1990 ose për ata që janë me një dozë vaksine siç janë ata të moshës 16-20 vjeç. Edhe pse për këto grupmosha Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se gjatë vitit që lamë pas janë vaksinuar 26 400 persona, ku mbulesa vaksinale nuk ka qenë në nivelin e duhur. /Klan Plus/

SHKARKO APP