Albania Daily News feston 20 vjetorin

Nuk kanë munguar përfaqësuesit më të lartë të trupit diplomatik në Shqipëri, por edhe figura të njohura shqiptare: politikanë, analistë, përfaqësues të biznesit dhe medias në ceremoninë e organizuar të mërkurën mbrëma në Hotel Sheraton, me rastin e 20 vjetorit të gazetës së vetme shqiptare në gjuhën angleze, Albania Daily News.  Kjo gazetë pa dritën e botimit në fillimet e vitit 1995, si pasardhëse e "Tribuna Ekonomike" (Independent Albanian Economic Tribune Magazine), revistës së parë ekonomike në gjuhën angleze, të botuar nga Ada Group. Albania Daily News është i vetmi botim i përditshëm në gjuhë të huaj në Shqipëri që prej 1995, fillimisht me 5 botime dhe prej vitit 2007 me 6 botime në javë. Si gazetë unike me arkivin e plotë online në Shqiperi, ADN zotëron websitin e më të kompletuar (albanianNews.com), në gjuhën angleze.  Albanian Daily News është një gazetë që publikohet për të abonuarit e saj, qoftë si gazetë tradicionale në letër brenda territorit shqiptar, po ashtu edhe në trajtë elekronike në websitin e saj. Websiti ekziston online prej vitit 1996 dhe përbën burimin më autoritar në gjuhën angleze në Shqipëri. Klientë të shumtë të gazetës, ndër të cilët pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfaqësite diplomatike të huaja të akredituara në Shqipëri apo specialistë e biznesmenë që u intereson lajmi me burim shqiptar, shprehin konsideratë të lartë për punën dhe vlerat e kësaj gazete. Si e tillë Albania Daily News ka qenë objekt vizite për shumicën e ambasadorëve të huaj në Shqipëri. E rëndësishme është gjithashtu të thuhet se Albania Daily News ka marrëveshje bashkëpunimi me disa agjenci presigjoze ndërkombëtare, përfshirë Xinhua, agjencia më e madhe e lajmeve kineze dhe referencë e mediave botërore për lajme nga lindja; Teheran Times etj. Aktualisht ADN është në bisedime për lidhjen e një marrëveshje bashkëpunimi me Today's Zaman turke dhe Kuna e Kuvajtit. Në këtë 20-vjetor të botimit të Albania Daily News, stafin e kanë përshëndetur edhe figura të njohura diplomatike, të politikës dhe medias shqiptare. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, ka dhënë një mesazh urimi për stafin bashkë me vlerësimet për gazetën, të cilën e ka quajtur një referencë informacioni për Shqipërinë, sidomos për trupin diplomatik të vendosur në vendin tonë. Gjithashtu Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka përshëndetur stafin dhe ka vlerësuar profesionalizmin e ADN duke uruar që kjo gazetë të vazhdojë të ruajë origjinalitetin e vet. Analisti Veton Surroi ka dhënë një mesazh dhe urim për gazetën Albania Daily News, si një zë i rëndësishëm që dëgjohet në arenën ndërkombëtare mbi Shqipërinë. Ndërsa politikani dhe diplomati Besnik Mustafaj e ka quajtur Albania Daily News si median që paralajmëroi dhe dëshmoi ardhjen e demokracisë në Shqipëri. “Kam qenë në Francë kur më ra në dorë për herë të parë kjo gazetë”, ka thënë Mustafaj. “U gëzova shumë kur e pashë. U gëzova sepse me këtë gazetë nënkuptohej që në Shqipëri kishte demokraci, kishte liri fjale. 20 vjet ndoshta janë pak për një histori gazete, por për një vend si Shqipëria ato janë shumë sepse vërtetojnë pikërisht lirinë e fjalës. I uroj ADN jetë të gjatë dhe përkushtin stafit të saj”. Ndërkaq mbrëmjen e së mërkurës është prezantuar edhe platforma e re on line e Albania Daily News, siti i ristrukturuar totalisht, albaniannews.com  Siç ka thënë drejtorja e kësaj gazete, Anisa Skëndaj, ky është një hapi ri i madh për ADN që i vjen për shtat kërkesave të kohës, zhvillimit të teknologjisë, por sidomos kërkesave të lexuesve të ADN. Në këtë mënyrë, një redaksi e re do të jetë e angazhuar posaçërisht me lajmet on line: përditësim i shpeshtë, lajme të shkurtra, të sakta dhe gjithëpërfshirëse. “Do të jenë këto dy gjysma, që formojnë trupin e ADN, që tani e tutje së bashku do të synojnë një nga misionet më fisnike dhe delikate: informimin”, ka thënë në fjalën e hapjes së ceremonisë të organizuar në Sheraton, drejtorja Skëndaj. Më gjerësisht me platformën e re on line të ADN, të ftuarit janë njohur nëpërmjet një prezantimi të zgjeruar mbi të gjitha risitë që ofron kjo faqe on line e ADN. Pjesa tjetër e mbrëmjes ka kaluar mes urimesh miqësore dhe feste që stafi i Albaia Daily News kishte përgatitur për miqtë e pranishëm.  

 

SHKARKO APP