Albert Vataj: Jean-Gabriel Domergue, alkimisti i bukurisë dhe peneli që shpërfaqi me drita të gjalla modernitetin e hijeshisë dhe feminilitetit

Nga Albert Vataj-

Jean-Gabriel Domergue, alkimisti i bukurisë dhe peneli që shpërfaqi me drita të gjalla modernitetin e hijeshisë dhe feminilitetit

Nëse Parisi i viteve të arta kishte një pasqyrë ku kërkonte pavdekësinë, ajo pasqyrë ishte padyshim kanavaca e Jean-Gabriel Domergue. Ai nuk ishte thjesht një piktor, ai ishte një arkitekt i epshit të kontrolluar dhe një poet i linjave që sfidonin gravitetin e kohës. Domergue skaliti mbi pëlhurë një “racë” të re grash, ato që nuk ecnin, por pluskonin mbi tymin e cigareve dhe aromën e parfumeve të shtrenjta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Finesa, klasi dhe ajo shkujdesje pothuajse mospërfillëse, ishin ingredientët e një alkimie që vetëm ai dinte ta realizonte. Portretet e tij nuk ishin thjesht imazhe, por manifestime të një feminiteti joshës që kufizohej me prepotencën. Gratë e tij kishin qafa të gjata e mjelmore, sy që fshihnin sekrete sallonesh dhe një buzëqeshje që dukej se tallej me vdekshmërinë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai ishte i dashuruar pas subjektit femër me një pasion që kalonte cakun e artit, duke u zhytur në një përfshirje emocionale dhe shpirtërore. Nën veshjet solemne dhe makiazhin që shkëlqente si parmendë mbi lëkurë, Domergue ndiente dhe pikturonte atë shqetësim të fshehur, atë trazim të bukur që vetëm një sy i dashuruar mund ta diktonte.

Në teatrin piktural të Domergue, burri është një personazh i padëshiruar, një “aksident” vizual që shërben vetëm si sfond për të ngritur në piedestal perëndeshën e tij.

Ai i pikturonte shoqëruesit meshkuj me një lloj përbuzjeje estetike.

Burrat në veprat e tij janë shpesh të moshuar, të shëmtuar, pothuajse karikatura të një realiteti të vrazhdë. Ky nuk ishte rastësi, por një akt i qëllimtë xhelozie artistike: duke i bërë burrat të parëndësishëm, ai e linte hirin femëror të shkëlqente i vetmuar në qendër të universit të tij.

“Ndoshta jo të gjitha gratë që hynin në studion e tij ishin të bukura, por asnjëra nuk doli prej andej pa u bërë e tillë.”

Ai nuk pasqyronte realitetin; ai e korrigjonte atë përmes një modeli të idealizuar, duke u dhuruar atyre pavdekësinë e sharmit.

Kush ishte ky mjeshtër që guxoi të quante veten “shpikësi i pin-up-it”?

I lindur në Bordo më 4 Mars 1889, ai u kalit në Ecole Nationale Superieure des Beaux-Arts. Talenti i tij shpërtheu herët, duke fituar çmimin prestigjioz Prix de Rome në vitin 1911.

Në vitet ’20, ai u bë diktatori i shijes pariziane. Kontribuoi në dizajnin e rrobave të Paul Poiret, duke i dhënë modës një dimension piktural.

Nga viti 1955 deri në 1962, ai shërbeu si kurator i Musée Jacquemart-André, duke u kujdesur për trashëgiminë e gjigantëve si Van Gogh e Goya, ndërkohë që vetë mbante titullin e lartë “Kalorës i Legjionit të Nderit”.

Fundi i tij ishte po aq poetik dhe melankolik sa një pasdite vjeshte në Paris. Më 16 nëntor 1962, Jean-Gabriel Domergue dha frymën e fundit mbi një trotuar të Parisit, qytetit që ai e kishte veshur me dritë dhe me hirin e grave të tij të paharrueshme. Ai vdiq aty ku lindi frymëzimi i tij: në rrugë, mes zhurmës së qytetit që e adhuronte dhe që ai e kishte kthyer në një galeri të përjetshme elegancës.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?