Aleksandër Meksi: Kisha e Shën Aleksandrit të Bokianit në Prull, Lezhë, është e vitit 1402
Një ndër kishat më të vjetra në Ballkan ndodhet në fshatin Prull në Lezhë. Prulli shtrihet mbi fshatin Spiten (Prulli dhe Spiteni janë si dy lagje të të njëjtit fshat të madh), nga ku syri të kap krejt detin nga Kepi Rodonit deri në Ulqin.
Kisha e Shën Llezhdrit, vend i njohur pelegrinazhi në shekullin e shkuar, e njohur edhe në burimet historike që në vitin 1402 me emrin “San Alexandro in Collematia”, ndodhet në majën e kodrave shkëmbore mbi fshatrat Spiten e Zejmen (Bregu i Matës)
(Fragment nga libri i Aleksandër Meksit për Kishat në Shqipëri, lexo më poshtë)
Kisha e Shën Aleksandrit të Bokianit në Spiten, Lezhë.
Kisha e Shën Llezhdrit, vend i njohur pelegrinazhi në shekullin e shkuar, e njohur edhe në burimet historike që në vitin 1402 me emrin “San Alexandro in Collematia”, ndodhet në majën e kodrave shkëmbore mbi fshatrat Spiten e Zejmen (Bregu i Matës), prej nga sundon gjithe fushën bregdetare nga Kepi i Rodonit në Shëngjin. Rrënojat e manastirit të dikurshëm benediktin përbëhen nga muri rrethues me hyrjet për në manastir në anën lindore, nga konakët e rrënuar në një shesh pranë tyre, ndërsa në pjesën më të lartë, brenda një rrethimi të veçantë që komunikon me këtë të fundit, ndodhet kisha e rrënuar.
Kisha ruan ende në këmbë absidën me murin lindor, murin verior e atë perëndimor. Nga hajati, që është ndërtuar në një kohë të dytë, ruhet muri në anën veriore dhe gjurmët e të tjerave ndër rrënojat e hajatit, çatia e të cilit, me strukturë druri, mbulohej me rrasa guri.
Në kishë hyhej, me sa duket, vetëm nga porta në anën perëndimore. Kjo ishte mbuluar me hark të shkallëzuar në anën e jashtme dhe me arkitrare druri në anën e brendshme. Mbi portë ruhet pjesërisht një nike, për rindërtimin e së cilës janë përdorur materiale të vjetra të një kornize të profiluar që, siç duket, i takonte kishës më të vjetër. Muri verior i ruajtur deri në lartesinë e plotë është i rrënuar vetëm pranë qosheve perëndimore dhe asaj lindore. Ai është ndërtuar me gurë të punuar, të nxjerrë nga formacione gëlqerore të shtresëzuara. Në pjesën e poshtme janë përdorur gurë më të mëdhenj, të cilët janë lidhur me llaç gëlqereje me mbushës me rërë të imët përzierë me të trashë. Në fugat ka rrasa të vogla e gurë të vegjël. Në pjesën e sipërme është ndërtuar me gurë më të vegjël dhe me fuga të mbushura keq me llaç. Mendojmë se pjesa e poshtme duhet t’i takojë ndërtimit të parë. Në këtë mur verior, në brendësi është një nike e madhe pak e thellë, e ndërtuar kryesisht me gurë çmersi dhe me një hark gjysmërrethor po prej çmersi.
Muri lindor së bashku me absidën pesëfaqëshe janë ndërtuar me gurë të gdhendur, të lidhur me llaç me ngjyrë okër të errët. Duke gjykuar nga këto veçanti mendojmë se ajo i takon një rindërtimi të vonë. Në brendësi absida është gjysmërrethore, ndërsa mbulesa e saj është e rregullt, çereksferëse, ndërtuar me gurë çmersi. Harku i saj në pjesën e dukshme është gdhendur në mënyrë të shkallëzuar.
Për shkak të gjendjes rrënojë të ndërtesës është vështirë të dallohen e të vendosen në kohë rindërtimet e shumta të kishës, pjesa më e madhe e të cilave duhet t’i përkasë shek. XIX ose dhe më përpara. (Aleksandër Meksi)