Alfred Peza: Apollonia, perla që akuzon

(Botuar me 1 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Nga Alfred Peza-

Themeluar në shekullin 6 para erës sonë nga kolonë greke të ardhur nga Korfuzi dhe Korinthi i Greqisë. Kulmin e lulëzimit qyteti e arriti në shek.4 p.e.s. me një popullsi prej 44 mijë banorësh. Sipërfaqja e qytetit 100 ha, rrethuar nga një mur me gjatësi prej 4.5 km, lartësi 8-10 m dhe gjerësi 3 m. Citohet si qyteti më i madh nga dhjetë qytetet me të njëjtin emër në pellgun e Mesdheut. Emri i saj rrjedh nga ajo e Perëndeshës Apolonia, që njihet ndërmjet të tjerave edhe si Perëndia e mbrojtjes së refugjatëve. Në vitet 229-228 p.e.s. gjatë luftërave iliro-romake, Apolonia bie nën sundimin romak. Augusti, Perandori i Parë i Romës ka studiuar për retorikë në Apoloni. Kur Cezari vdiq, ai ndodhej në Iliri. “Qyteti i madh dhe hijerëndë”- është shprehur Cezari pasi vizitoi qytetin gjatë luftës në Iliri midis tij dhe Pompeut. Në vitin 345 të e.p.s. një tërmet i fuqishëm rrafshoi qytetin.
Etapat e gërmimeve arkeologjike në rrënojat e qytetit të lashtë
1916-1918 austro-hungarezët gjatë Luftës së Parë Botërore kanë filluar të parët gërmimet dhe grabitjet. Në hyrje të muzeut të Apolonisë, sot qëndron e vendosur një pllakat me mbishkrimin: “Më 1918 pushtuesit austro-hungarezë pushkatuan Kamber Benjën, Abaz Taushanin dhe Bexhet Manastirin, të cilët kundërshtuan grabitjen e monumenteve historike të Apolonisë”. Nga 1924-1938 kanë zhvilluar gërmime ekspedita të shumta të arkeologëve francezë. Njëri prej tyre, Leon Rei, madje pak mbi qendrën e qytetit ka ngritur një shtëpi e cila sot nga fshatarët e zonës quhet “shtëpia e frëngut”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore vazhduan gërmimet “arkeologët”italianë. Gjatë periudhës 1945-1990 për herë të parë gërmimet u bënë nga arkeologët shqiptarë. Kulmin punimet e arritën në vitin 1985 në prag të Kuvendit të Dytë të Studimeve Ilire. Në vitin 1994 e në vazhdim ka qenë një grup i shkollës arkeologjike të Francës me qendër në Paris që në bashkëpunim me ato shqiptarë të cilët në bazë të një marrëveshje kanë bërë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen gërmimet.
Apollonia stacion i mafies së veprave të artit
Vetëm dy javë më parë, Qendrën turistike të Apollonisë e vizioi Prefekti i Epirit. Gjatë një bisede në Kishën e Polinës, në prani edhe të gazetarëve, z. Haki Mustafa, Prefekti i Fierit, i kërkoi homologut të tij z. Stiliano Cicimenis, ndërhyrjen për kthimin e veprave antike të vjedhura në Apolloni dhe të trafikuara në Greqi. Gjithashtu ai i kërkoi personalitetit nga vendi fqinj të merrte masa për ndalimin e grupeve me qytetarë grekë që vijnë dhe bëjnë gërmime klandestine në qytetin e lashtë. “Natyrisht nuk jemi engjëj – deklaron në këtë moment Prefekti i Epirit- duhet pranuar se është krijuar mafia greko-shqiptare e veprave të artit. Duhet që patjetër të bashkëpunojmë për ta eliminuar. Veprat e vjedhura që i përkasin Shqipërisë, ne do t’i kthejmë patjetër, pasi i kemi obligim ligjor dhe moral”. Deklarata e bujshme është e para e këtij lloji e bërë nga një person i lartë zyrtar në lidhje me ekzistencën e mafias së veprave të artit në Shqipëri. Qendra arkeologjike e Apollonisë si edhe simotrat e saj në të gjithë Shqipërinë, i është nënshtruar disa herë vjedhjeve. Ka qenë Prilli i vitit 1991 që shënoi të parën vjedhje në Muzeun e Apollonisë të pasuar më pas me më të madhen më 10 Shtator 1991 dhe pas saj atë në vjeshtën e 1993. Padyshim më fatalja në këtë kronologji të zezë është vjedhja e Shtatorit 1991. Brenda një nate nga eksponatat e muzeut u grabitën 30 objekte antike. Vjedhja duket se ka qenë tepër e organizuar dhe nga persona profesionistë po të kemi parasysh rrethanat në të cilat u krye. Inventari i vjedhjes përfshin 15 koka statujash dhe të tjerat ishin mburoja, relieve, shpata dhe maja heshte. Asnjëra prej veprave nuk ka qenë e ekspozuar më parë në ndonjë ekspozitë jashtë vendit. Pesha e veprave të vjedhura ka qenë e tillë që padyshim kanë dashur kohë, mjete dhe shumë njerëz për të vepruar me shpejtësi e për t’i larguar nga vendi i ekspozimit. Vetëm afro 4 vjet nga koha e kësaj grabitje fatale shtypi njoftoi se janë rikthyer në Shqipëri tre nga këto vepra antike të grabitura nga Apollonia e Fierit. Ndër objektet e kthyera bënin pjesë të quajturat koka e Herakliut, trupi i Djaloshit dhe portreti i Nëpunësit. Ato ishin zbuluar nga policia gjermane e Mynihut në fundvitin e 1993 në kohën kur dy shtetas grek tentonin t’i shisnin ato për 1 milion marka gjermane. Ka qenë pjesëmarrje e një arkeologu shqiptar në procesin e zhvilluar me këtë rast, që mundësoi kthimin në Shqipëri te tre veprave. Në Maj të vitit të kaluar shtypi njoftoi se janë zbuluar në Greqi fijet e një trafiku klandestin për veprat e artit të grabitura në Shqipëri. “Në Follorinë janë bllokuar 25 vepra të antikitetit, një pjesë e të cilave të regjistruara në Shqipëri”, thekson “Gazeta Shqiptare”në lajmin e saj për këtë rast. Ndërmjet të tjerash numëroheshin 7 maja shtizash prej bronzi dhe një shpatë hekuri nga Fieri. Megjithëse masat e sigurimit duket se janë përmirësuar disi (është dislokuar një postë policie), ende edhe sot e kësaj dite ekziston rreziku i vjedhjeve. Ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të cilat instalojnë përgjues të sofistikuar, në këtë perlë të qytetërimit tonë nuk ka të paktën për muzeun një sistem viziv ruajtje. Kjo dhe vjedhjet, i kanë detyruar drejtuesit e muzeut që gati të gjitha objektet që në vitin 1991, për arsye sigurimi t’i dërgojnë në Tiranë. Sipas Drejtorit të Muzeut të Apollonisë, z.Vangjel Dimo të parët që e vënë re mungesën e sistemit të ruajtjes në qytetin antik janë turistët e huaj. “I keni sheshit të gjitha gjërat. Mund të marrësh çdo gjë dhe kur të duash”- janë shprehur disa prej tyre.


Dielli – “Në Had do të zbresë, të ndriçojë vetëm për të vdekurit” – Homeri
Çdo vizitor sado i pakujdesshëm që do të shkojë për të parë rrënojat e qytetit antik, do të ve re një dukuri makare**. Pranë fshatit Kryegjatë, në Metropolisin e qytetit të Apollonisë, numërohen mbi 100 varre të dhunuar. Fshatarë dhe ushtarë të një reparti aty pranë, në mënyrë sistematike për afro 1 vit rresht, kryesisht natën, kryejnë një rit të pakonceptueshëm për traditat dhe zakonet tona, hapin varret dhe grabisin cdo gjë që gjendet në to. Qëllimi është vjedhja e stolive, armëve, vazove të qeramikës dhe objekteve prej hekuri. Megjithëse çdo gjë është lehtësisht e shikueshme dhe sot dhunimet vazhdojnë. Ka dy vjet që shkolla pariziene që ka qendra edhe në Romë e Athinë ka dërguar grupe arkeologjike për të kryer studime dhe gërmime në Apolloni. Për këtë është nënshkruar edhe një marrëveshje e veçantë nëpërmjet së cilës do të vazhdojë edhe kryerja e punimeve të tjera nëpërmjet ekspeditave të përvitshme që do të vijnë nga kjo shkollë. Sipas bisedës me grupin që vazhdon të kryejë aktualisht gërmime së bashku me arkeologët tanë, është vlera e veçantë kulturore e kësaj qendre dhe tradita franceze e gërmimeve në të, ajo që i detyron këto studiues të punojnë në Apolloni. Hoteli është konceptuar si një qendër pune, studimi dhe pushimi për arkeologët. Fakti se deri tani është zbuluar vetëm 2 për qind e sipërfaqes së qytetit të lashtë dhe ngritja e kësaj qendre për arkeologët, tregojnë se interesi dhe synimet për ta thelluar punën në këtë perlë të qytetërimit tonë është i jashtëzakonshëm.
Gati çdo fshatar rrotull Apollonisë posedon të paktën një objekt antik
Është ndoshta e pabesueshme por rrënojat e qytetit të lashtë janë aq të pasura me material arkeologjik, saqë sipas drejtorit të muzeut Apollonia, edhe mbi sipërfaqen e tokës mund të gjenden monedha antike. Me iniciativën e tij drejtori arriti pak kohë më parë që të grumbullonte në Pojan nga fshatarët plot 120 monedha kundrejt premtimit për t’i shpërblyer me vlerat e tyre. Duke qenë nga natyra mosbesues, kuptohet që fshatarët dorëzuan sendet më pa vlerë që posedonin. Por shteti nuk i vlerësoi monedhat dhe me kaq duket se u mbyll një kapitull që sapo duhej hapur. “Gati të gjithë fshatarët e zonës rrotull qytetit të vjetër kanë në shtëpitë e tyre nga një objekt me vlerë. Në qoftë se shteti do t’i blejë me një çmim të kënaqshëm ne nuk kemi pse për to të hyjmë në Pazar me njerëz të ndryshëm”- shprehet një fshatar nga Pojani. Shteti duhet të shfrytëzojë mirë edhe psikologjinë e fshatarit tonë. Është në interes të kulturës që shteti të luajë një rol më luajal në mënyrë që këto vlera të mos përfundojnë në duart e trafikantëve të veprave të artit.
Përfundon Hotel – Atelieja për arkeologët
140 mijë dollarë investim për objektin e parë të këtij lloji në Shqipëri
Një vepër krejt e veçantë dhe me vlerë ka përfunduar këto ditë në pjesën jugperëndimore të rrënojave të zbuluara të qytetit antik të Apollonisë. Vepër e arkitektit Reshat Gega, objekti ka kushtuar 140 mijë dollarë nga të cilat gjysma është investim i qeverisë shqiptare, ndërsa 70 mijë dollarët e tjerë janë investuar nga shkolla arkeologjike franceze me qendër në Paris. Objekti me 20 mjedise përfshin bibliotekën, laboratorin fotografik, dhomën e arkeologëve, kuzhinën dhe 6 dhoma për fjetje. Nga jashtë ndërtimi është bërë i tëri në gur dhe arkitektura e saj harmonizohet edhe me atë të ndërtimeve përreth.
Alfred Peza

SHKARKO APP