Alfred Peza: Namik Dokle thirret në Prokurori
(Botuar me 19 Maj 1995 në KOHA JONE)
Nga Alfred Peza-
Hetimi për çështjen e 400 mijë dollarëve të shtypshkronjës së “ZP” vazhdon me një ritëm konstant. Është ish-kryeredaktori i “ZP” dhe njëri nga nënkryetarët aktualë të PS, z. Namik Dokle ai që ngjiti dje shkallët e Prokurorisë së Përgjithshme. Protagonisti i fillimit të kësaj çështjeje vihet në po këtë rol por tashmë në listën e dëshmitarëve para organit të Prokurorisë. Namik Dokles, njërit prej më të sulmuarve prej shtypit qeveritar në çështjen e 400 mijë dollarëve të “ZP” i është dashur dje në mesditë për dy orë rresht t’i përgjigjet pyetjeve të hetuesve në prani të zv/Prokurorit të Përgjithshëm Fatos Dervishi dhe Prokurorit të Tiranës Arben Qeleshi. Seanca e djeshme ka qenë një seancë sqaruese në lidhje me përdorimin e fondit të destinuar për blerjen në Kanada të shtypshkronjës për organin qendror socialist. Në orën 16.00 z. Dokle zbret i qetë shkallët e Prokurorisë duke u vënë menjëherë në fokusin e kamerës së TVSH, fotoreporterëve dhe gazetarëve të shumtë. Për “KJ” pyetjes se kujt i përkasin 400 mijë dollarët Dokle iu përgjigj: “Ato janë vetëm pronë e “ZP” dhe vetëm ajo ka të drejtë t’i përdorë ato si të dojë. Qeveria në qoftë se do t’i marrë ato të nxjerrë një ligj dhe pas kësaj le ti marrë. Por këtë gjë unë do ta quaja grabitje të pasurisë së një gazete politike”. Ndryshe nga pozicioni i mbajtur në emisionin ballafaques në TV, me kryetarin e shërbimit të kontrollit të shtetit, z. Blerim Çela para gazetarëve ai ndjehet më i qetë, por nuk i mungon dëshira të përmendë kundërshtarin e tij përsëri. “Seanca e pyetjeve kaloi mirë dhe hetuesit ishin të sjellshëm. Të paktën sot nuk dëgjova budallallëqet e Blerim Çelës”. Por nënkryetari socialist nuk nguroi as në këtë rast të shprehej edhe për anën politike të këtij skandali të përfolur. “Hetimi ndaj kësaj çështjeje, u shpreh Dokle, është një lojë e ndyrë politike. Ecuria e këtij hetimi do të varet nga urdhrat që do të marrin hetuesit dhe prokurorët nga lart”. Pas marrjes së masës së arrestit për këtë çështje ndaj pesë personave dhe po kaq në rolin e dëshmitarëve, dita e djeshme e ruajti perimetrin e rrethit të personave të implikuar deri tani. Kryetarit të grupit parlamentar socialist nuk i munguan as këtë radhë batutat e shpejta dhe nënteksti. Madje ai për sa i përket mendimit për zgjerimin e rrethit të të implikuarve në këtë çështje përgjigjet: “Unë mendoj se rrethi vjen duke u ngushtuar pasi Nano është diametri”. Pas kësaj edhe pse makina e tij niset ai dhe gazetarët vazhdojnë edhe për pak sekonda dialogun. Gjysmë ore më vonë lënë zyrat e Prokurorisë edhe dy persona të tjerë. Në seancën e djeshme të hetimit u thirrën në rolin e specialistit dy punonjës të Bankës së Shtetit për të sqaruar sadopak nga ana profesionale veprimet financiare të kryera për këtë çështje. Kush e ka radhën sot?
Alfred Peza