Alibeaj kërkesë Ramës: Të shpallet gjendja e emergjencës në Shkodër, Lezhë dhe Durrës

Enkelejd Alibeaj deklaroi se ka bërë kërkesë që kryeministri Edi Rama të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në 3 qarqet e prekura nga përmbytjet, Shkodrën, Lezhën dhe Durrësin.

Pjesë nga deklarata e Alibeajt:

Situata e reshjeve të ditëve të fundit ka shkaktuar problematika të rënda në zona të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Si pasojë e përmbytjeve janë dëmtuar arat me të mbjella, bagëtitë, shtëpitë e qytetarëve, pasuri të trashëgimisë kulturore, si rasti i Urës së Bahcallëkut në Shkodër. Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, sic ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe. Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, ne vlerësojmë se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Konkretisht, neni 174 i Kushtetutës përcakton se “Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.”. Kushtetuta nuk përmban ndonjë përkufizim për situatën e fatkeqësisë natyrore, por ai jepet në nenin 3, pika 9 të ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Kjo dispozitë përcakton se fatkeqësitë natyrore janë fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet artitektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe det etj.

SHKARKO APP