“Alieni” Ronaldo zbarkon në Rusi, barazim spektakolar mes Spanjës dhe Portugalisë (VIDEO)

Spanja dhe Portugalia kanë respektuar pritshmëritë duke dhuruar ndeshjen më të bukur deri më tani në Kupën e Botës në Rusi. Dueli është mbyllur në shifrat 3-3, duke sjellë shumë përmbysje brenda 90-minutëshit. Cristiano Ronaldo ishte protagonist absolut duke shënuar tre gola, ndërkohë që Diego Costa gjeti dy herë rrugën e rrjetës.
Ylli portugez u rrëzua brenda zonës pas një kontakti me Sergio Ramos në minutën e 3-të. Nga pika e bardhë shkoi vetë portugezi, i cili mposhti portierin De Gea, duke e dërguar topin në anën tjetër, të hedhjes së gardianit. Sfida është e ndezur, teksa David Silva është shumë pranë golit në minutën e 20-të, pas një pasimi magjik të Iniestës brenda zonës, ndërkohë që në krahun tjetër portugezët janë shumë pranë golit të dytë me Guedes pas një kundërsulmi. Spanja gjeti golin e barazimit në minutën e 23-të. Diego Costa kontrollon mjaft mirë topin në zonë, duke pasur një përplasje me Pepe, dhe më pas me një veprim të bukur në hyrje të zonës, e dërgon topin në rrjetë. Asnjë mundësi reagimi për portierin Rui Patricio, që u tradhtua nga mbrojtja.
“Furija Roja” merr zemër nga goli dhe për pak sa nuk e nuk shëon sërish atë me Iscon që godet shtyllën, ndërkohë që më pas topi largohet në limitet e zonës nga portieri i Portugalisë. Kur të gjithë prisnin që fraksioni i parë të mbyllej në barazim, Cristiano Ronaldo lëshon një goditje të fortë në hyrje të zonës, e cila nuk kontrollohet në mënyrë qesharake nga portieri De Gea, i cili bën një gabim të rëndë. Spanja e ka nisur në mënyrën më të mirë pjesën e dytë, duke gjetur golin e barazimit në minutën e 55-të. David Silva pason mjaft mirë në zonë për Busquets, i cili jep një pasim mjaft të mirë për Diego Costën. Sulmuesi braziliano-spanjoll e ka të thjeshtë për ta çuar topin në rrjetë, duke shënuar golin e dytë personal, po aq sa Ronaldo.
Ndërkohë në minutën e 58-të, Nacho shënoi një super gol, me një goditje mjaft të saktë në hyrje të zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Rui Patricio. Kur dukej se Portugalia ishte dorëzuar, del në skenë sërish Cristiano Ronaldo. Ylli portugez realizoi një super gol 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, duke ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit De Gea. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

