Alimehmeti: Bota u tmerrua nga vlerat hiperbolike të vdekshmërisë nga COVID-19
Epidemiologu Ilir Alimehmeti në një status në rrjetin social “Facebook” ka reaguar në lidhje me situatën e koronavirusit.
Alimehmeti shpjegon se me shtimin e testimeve (pra gjetjen e më shumë rasteve të lehta), CFR-ja në Shqipëri ka rënë nga rreth 3.0% në 2.47%, pra efekti ndjehet edhe me ato pak testime të shtuara.
“Bota u tmerrua në pranverë nga vlerat hiperbolike të vdekshmërisë nga COVID-19 dhe u struk nga frika pa kuptuar që ajo që raportohej ishte në fakt CFR-ja (case fatality rate), e cila asnjëherë nuk është shifra e vërtetë në nivel popullate”, shkruan epidemiologu.
Gjithashtu ai thekson se vdekshmëria e vërtetë (IFR) është rreth 12 fish më e ulët se ajo që raportohet nga rastet e gjetura.
Statusi i plotë:
“Ato çka bota duhet të çrrënjosë janë frika dhe injoranca.”
Cit.: Jan Masaryk (Diplomat – 1886-1948)
Miqtë e mi, frika ushqehet nga mungesa e njohurisë! Nuk bën dallim në asnjë situatë, përfshirë pandemitë.
Bota u tmerrua në pranverë nga vlerat hiperbolike të vdekshmërisë nga COVID-19 dhe u struk nga frika pa kuptuar që ajo që raportohej ishte në fakt CFR-ja (case fatality rate), e cila asnjëhërë nuk është shifra e vërtetë në nivel popullate.
Ajo që duhet të dijë popullata është IFR-ja (infection fatality rate), duke ia lënë CFR-në mjekëve të cilëve u shërben kjo e fundit më shumë.
Pas disa muajsh pandemie shumë studime dolën dhe u botuan, por sot do të mbuloj një studim të veçantë për disa arsye:
Së pari, botohet më datë 14 tetor 2020 në Buletinin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, organi më i lartë ndërkombëtar.
Së dyti, autori është Prof. Ioannidis, një ndër epidemiologët më të njohur në nivel botëror, Profesor i Epidemiologjisë në Universitetin Stanford, pak leksione të të cilit kam patur fatin t’i ndjek personalisht.
Së treti, është një rishikim i plotë i literaturës së deritanishme dhe, si rrjedhojë, niveli më i lartë i evidencës mjekësore.
Pasi studioi 61 studime dhe 8 raportime kombëtare paraprake, Prof. Ioannidis del në përfundimin se:
IFR-ja (vdekshmëria nga infeksioni) mediane në 51 lokacione të marra së bashku është 0.27% (e korrigjuar = 0.23%).
Po, po! E lexoni saktë! 0.27%!
IFR-ja (vdekshmëria nga infeksioni) luhatet nga 0.00% deri në 1.54% në shtete të ndryshme.
Më në detaj:
IFR = 0.09% në zonat me më pak se 118 vdekje / 1 milionë banorë (që është mesatarja globale).
IFR = 0.20% në zonat me 118-500 vdekje / 1 milionë banorë.
IFR = 0.57% në zonat me mbi 500 vdekje / 1 milionë banorë.
(P.sh. Italia ka 624 vdekje / 1 milionë banorë dhe në fakt CFR-ja e 30 ditëve të fundit është 0.64%)
Marrim shtetin tonë, se ai na intereson më shumë:
Shqipëria ka aktualisht 169 vdekje / 1 milionë banorë. (IFR = 0.20% mbështetur mbi Prof. Ioannidis)
CFR aktuale në Shqipëri është 2.47%
Pra, vdekshmëria e vërtetë (IFR) është rreth 12 fish më e ulët se ajo që raportohet nga rastet e gjetura.
Në fakt, me shtimin e testimeve (pra gjetjen e më shumë rasteve të lehta), CFR-ja në Shqipëri ka rënë nga rreth 3.0% në 2.47%, pra efekti ndjehet edhe me ato pak testime të shtuara.
Por Prof. Ioannidis nuk ndalet këtu.
Ai gjithashtu përllogariti se:
IFR-ja = 0.05% te personat <70 vjeç (CI95% 0.00% – 0.31%).
Kujtoj që gripi sezonal e ka IFR-në rreth 0.10% – 0.15%.
Kujdes: IFR-ja nuk duhet konsideruar si konstante e fiksuar dhe luhatet në shtete të ndryshme, në varësi të karakteristika të popullatës (mosha, dendësia, etj.) si edhe nga faktorë lokalë.
Pra, miqtë e mi, kuçedrës po i priten kokat vazhdimisht.
Mbetet kuçedër por jo me dhjetë koka!
Mjekësia bazohet mbi evidenca dhe evidencat po flasin!
Ndërkohë, së bashku, vazhdojmë zbatojmë masat e mbrojtjes personale dhe familjare!
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
/abcnews.al/