Alimehmeti për ligjin e ri për Mjekësinë: Mjekët duan mbështetje sot. Shteti po kërkon të shkojë drejt…

Mjeku i njohur, epidemiologu Ilir Alimehmeti ka folur për ligjin e ri të qeverisë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria, që detyron studentët e mjekësisë të punojnë disa vite në vend pas mbarimit të universitetit, për të marrë diplomën. Alimehmeti tha se shteti shqiptar do shkojë drejt një VKM-je që kërkon privatizimin e universiteteve publike. Ai deklaroi se ky ligj mund ta ketë efektin pas 6-10 vitesh, ndërkohë që emergjenca është sot apo deri 6 vite në vijim.

“E kemi thënë se nuk ka mjekë, ka mungesa mjekësh në shumë zona. Në disa zona ka më pak shërbim shëndetësor se sa nevojitet. Kundërshtoheshim, por ja ku rezulton se paskemi pasur të drejtë. Sa herë harxhojmë kohë për të diskutuar kemi një problem apo jo harxhojmë kohë.

Jemi dakord se kemi një sistem shëndetësor pothuajse të dështuar, me shumë vakanca të personelit shëndetësor, kjo për shkak të keqmenaxhimit të burimeve njerëzore. Jemi shumë dakord që burimet njerëzore janë pika kyçe e sistemit shëndetësor, nuk bëhet me makina, me mure apo veshje të bukura, por me njerëz dhe me dijeninë e tyre.

Çdo profesionist nëse mbështetet dhe është mirë në vendin e tij nuk ka arsye pse të ikë. Kur ikën, ikën se është keq në vendin e tij. Ne duhet të mbështesim mjekët dhe e dimë shumë mirë si mbështetet dhe jo t’i marrim me detyrim për të bërë një punë të nënpaguar. Je i fundit në Europë, ta kalon dhe Kosova”, tha Alimehmeti në ”News 24”.

SHKARKO APP