Alimehmeti: Problemi kryesor në Tiranë, s’ka infrastrukturë për t’i ardhur në ndihmë familjeve
Një nga kandidatët në primaret e PD për bashkinë e Tiranës, është edhe mjeku i njohur Ilir Alimehmeti. Për të objektivi i tij kryesor do të jetë puna për qytetin, jo për karrierën e tij politike. “Si qytetar i Tiranës e kam gjetur gjithmonë veten të shkelur nga ky drejtim. Ka ndodhur që ata që drejtojnë bahskiunë kanë punuar për të ngjitur shkallët politike”, tha Alimehmeti në Ditarin e A2 CNN.
Problemi kryesor për të në Tiranë është mungesa e infrastrukturës për t’i ardhur në ndihmë familjeve. “Në rrethina nuk kanë çerdhe dhe shkojnë në zona të tjera për të çuar fëmijët. Do flasim për ambiente rekreative. Sa hapësira kanë fëmijët tanë për të luajtur e për të qeshur? Nuk ka më njeri të qeshur në rrugë. Kjo është çmenduri”.
Alimehmeti shton edhe se Tirana ka së pari nevojë për ndershmëri. “Të mos vidhet më e të mos abuzohet më. Kjo është pika kyçe dhe baza e gjithçkaje. Pastaj, nën këtë, ka edhe kauza që i kemi të gjithë bashkë, si urbanistika. Tirana është një nga bashkitë më të taksuara, ka edhe taksa që nuk ekzistojnë në asnjë bashki tjetër. Dhe në fund fare, fëmijët tanë e bëjnë shkollën pasdite”.