Altin Dumani: “Prokurorët e SPAK duhet të kenë të drejtë rikandidimi. Me 2028 mbaron mandati 11 prokurorëve”

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, doli para Komisionit të Ligjeve në Kuvend me një deklaratë të fortë: ai nuk do të rikandidojë pas përfundimit të mandatit të tij 9-vjeçar. Por më e rëndësishme se vendimi personal, ishte mesazhi institucional që ai përcolli — një paralajmërim për boshllëkun që mund të godasë vetë strukturën në vitin 2028, kur 11 prokurorëve të SPAK-ut u përfundon mandati brenda të njëjtit vit. Kushdo nga prokurorët e SPAK duhet të kenë të drejtë rikandidimi, ndaj parlamenti duhet të ndërhyjë për të ndryshuar ligjin përkatës.

Në dhjetor 2025 Altin Dumani i liron vendin një emri tjetër si drejtues i SPAK, por epoka “DUMANI” do mbetet në histori si epoka e ndëshkimit të madh ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Një krizë e paralajmëruar brenda reformës në drejtësi

Swiss Digital Desktop Reklama

Dumani ngriti alarmin se reforma në drejtësi, e cila synoi pavarësinë dhe profesionalizimin e sistemit, mund të përballet me pasojat e vetvetes nëse nuk ndryshohet ligji që ndalon rikandidimin. “A mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet kur në një vit të vetëm mbaron mandati i 11 prokurorëve?”, tha ai, duke shtuar se zëvendësimi i një trupe të tillë është praktikisht “i pamundur” në një vend me burime të kufizuara njerëzore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo situatë, sipas Dumanit, nuk është çështje e emrave, por e vazhdimësisë institucionale: shumë nga këta prokurorë janë të angazhuar në dosje që kërkojnë vite hetimi, përfshirë çështje që prekin nivelin më të lartë të politikës, mafias dhe biznesit.

Një apel për racionalizim, jo për privilegj

“Unë flas në emër të institucionit, jo për interes personal”, u shpreh Dumani, duke kujtuar se vetë nuk do të kërkojë zgjatje apo rinovim të mandatit. Por ai theksoi se duhen ndarë dy koncepte: e drejta për të rikandiduar dhe zgjatja automatike e mandatit. Nëse një prokuror i posaçëm dëshiron të rikandidojë dhe kalon sërish filtrat e vlerësimit, nuk ka arsye pse të përjashtohet — kjo është thelbi i propozimit.

Argumenti i tij mbështetet mbi logjikën e investimit shtetëror e ndërkombëtar në këtë trupë prokurorësh. BE, SHBA dhe vetë shteti shqiptar kanë trajnuar me vite këta prokurorë për t’u bërë rezistentë ndaj presionit politik, ekonomik dhe kriminal. Largimi i tyre masiv në një moment të vetëm do të ishte si “fshirja e memories institucionale” të SPAK.

Pasojat politike dhe perceptimi publik

Deklarata e Dumanit është gjithashtu një test për klasën politike shqiptare. Nëse Parlamenti zgjedh ta injorojë këtë paralajmërim, rrezikon që SPAK — institucioni që për shumëkënd përfaqëson zemrën e reformës në drejtësi — të përballet me paralizë funksionale pikërisht në momentin kur po jep rezultatet e para të prekshme në hetime ndaj zyrtarëve të lartë.

Nga ana tjetër, çdo ndërhyrje ligjore për të lejuar rikandidimin do të kërkojë kujdes të madh për të shmangur perceptimin e ndërhyrjes politike në mandatin e prokurorëve të posaçëm. Balanca midis pavarësisë dhe vazhdimësisë është e brishtë, por e domosdoshme.

Një debat që do të përcaktojë të ardhmen e SPAK-ut

Në thelb, çështja që ngre Dumani shkon përtej mandatit të tij personal: a do të lejojë politika shqiptare që SPAK të mbetet një institucion i përkohshëm, apo do të garantojë që ai të evoluojë në një strukturë të qëndrueshme, të pavarur dhe profesionale?

Në vitin 2028, shumëkush do të gjykojë suksesin apo dështimin e reformës në drejtësi jo nga numri i arrestimeve, por nga aftësia e institucioneve për të ruajtur vetveten nga boshllëqet që vetë ligjet aktuale mund të krijojnë.

Prokurorët e SPAK rrezikojnë jetën nga hedhja në “rrugë” prej shtetit

Prokurorët e SPAK kanë firmosur arrestime të grupeve mafioze, strukturave kriminale, politikanëve të lartë. Ata kanë qenë në ballë të luftës për vendosjen e shtetit ligjor. Puna e tyre ka nxitur BE të afrojë bisedimet për kapitujt, por nëse kjo trupë prokurorësh hidhen në rrugë prej shtetit, atëhere askush pas tyre, nuk do të rrezikojë veten e familjen e tij, kur e dinë se në një moment do të braktisen nga shteti.

Ndaj parlamenti duhet ta ndryshojë ligjin dhe t’ju jap të drejtë rikandidimi prokurorëve të SPAK.

/Nga Redaksia e “Koha Jonë”/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?