ALUIZNI, sot afati i fundit.Nga nesër deri në 5 vjet burg.

Sot, mundësia e fundit për të përfituar nga procesi i vetëdeklarimit për legalizimin e ndërtimeve informale. Nga nesër, ndërtimet pa leje do të ndëshkohen me një deri në pesë vite burg.

Sot është afati i fundit për vetëdeklarimin e ndërtimeve informale për t’u pajisur me leje. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) e ka përcaktuar këtë afat si limitin për t’u legalizuar ndërtimet që janë bërë pa leje. Nga nesër, asnjë prej personave që ka ndërtuar banesa, apo godina për shërbime të tjera nuk do të ketë më mundësi për të marrë lejen dhe më pas, pronësinë e tyre. E thënë ndryshe, çdo objekt që nuk është vetëdeklaruar nga pronarët dhe që ndaj tij nuk ka nisur asnjë procedurë vlerësimi nga ALUIZNI, do të shembet. Ndaj gjatë këtyre ditëve ka patur rradhë të gjata në çdo zyrë legalizimi në Shqipëri, pasi siç ndodh përherë në vend, ku njërëzit kujtohen ditën e fundit, edhe deri dje rradha shkonte në dhjetra metra duke pritur për të dorëzuar letrat, foto apo skica nga ndërtimet e bëra pa leje.

Procesi i vetëdeklarimit

Prej një viti, që nga shpallja e strategjisë së re të ALUIZNI-t për vetëdeklarimin e banesave pa leje, llogaritet se numri i personave që kanë aplikuar është rreth 80 mijë. Megjithatë, shifra nuk është përfundimtare dhe vetëm gjatë ditëve në vijim do të bëhet një bilanc i qytetarëve që kanë nisur procedurat. Afati i fundit për deklarimin e ndërtimeve pa leje ishte përcaktuar 31 dhjetori i vitit që lamë pas. Por duke parë fluksin e madh të qytetarëve, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, përcaktoi shtyrjen e tyre edhe me 31 ditë të tjera, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të përfitojnë nga procesi. Një arsye tjetër e shtyrjes së afatit ishte dhe fakti se gjatë muajve dhjetor-janar në vend shtohet numri i emigrantëve, të cilët më parë nuk kanë pasur mundësi për të kryer procedurat. Deri në muajin dhjetor, numri i vetëdeklarimeve arrinte në 72 mijë. Që nga muaji dhjetor, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t shtoi personelin e saj në sportele. 14 Drejtoritë Rajonale dhe 11 sportelet shtesë të hapura nga ALUIZNI, kanë qenë në dispozicion për kryerjen e procedurave të vetëdeklarimit. Ky proces nuk përfshinte vetëm personat që kanë ndërtuar pas muajit qershor të vitit 2014, si edhe ata që kanë ndërtuar pas 15 janarit të vitit 2009 në tokën e tjetrit , shtetrore apo të tyre. Vetëdeklarimet janë faza e parë e procesit për ndërtimet që janë kryer gjatë viteve të fundit. Më pas, punonjësit e ALUIZNI-t do të nisin verifikimin në terren të ndërtimeve, do të bëjnë matjet, si dhe proceset përkatëse për dhënien e lejeve. Procedurat për dhënien e lejeve, ashtu siç është deklaruar nga drejtuesit e mazhorancës do të jenë falas, duke lehtësuar qytetarët për marrjen në pronësi të objekteve që kanë ndërtuar.

Penalizimet që nisin nga nesër

Ndërsa procesi i ndërtimeve pa leje ligjërisht tashmë quhet i mbyllur, për të mos përsëritur situatën e viteve të mëparshme  Këshilli i Ministrave ka marrë një sërë masash të ashpra. Disa muaj më parë, në Parlament u miratuan ndryshimet e Kodit Penal që sanksionojnë dënime me burg për ata që ndërtojnë pa leje. Nesër hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, ku për ndërtimet pa leje nuk do të ketë më gjobë, por vetëm dënime me burg. Sipas ndryshimeve në Kod, personat që kapen duke ndërtuar pa leje, edhe pse janë në pronën e tyre, dënohen nga një deri në pesë vite burg. Ndëshkime nuk parashikohen vetëm për pronarët që kryejnë punime, por edhe për personat që nuk kanë lidhje me objektin, por janë të punësuar. Thënë ndryshe, kompanitë apo punëtorët që marrin pjesë në punimet e një objekti pa leje, rrezikojnë dënime me burg, njëlloj si dhe personi që porosit ndërtimin e objektit. Masat penalizuese janë cilësuar si të ashpra edhe nga vetë një pjesë e deputetëve të mazhorancës, por duket se janë e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund një kahsapane, që ka ndodhur me ndërtimet pa leje në gjithë vendi.

Dënimet për ndërtimin pa leje

-Ndërtimi pa leje ose në shkelje të lejes në tokë në pronësi të vet, deri në 1 vit burg.

-Ndërtimi pa leje ose në shkelje të lejes, kryer në tokën publike ose të tjetrit, 1-5 vjet burg.

-Kur ndërtimi pa leje është kryer për qëllime fitimi, burgim nga 3 deri në 5 vjet burg.

-Ofrimi i shërbimit të sipërmarrjes, zbatimit të punimeve në ndërtim pa leje, 3 vjet burg

 

SHKARKO APP