Alvini në kampin e ISIS, Berisha nxjerr foton nga Italia: Bota interesohet, për narkoshtetin nuk ekziston!
Në një kohë kur familja e vogëlushit Alvin Berisha është në pritje të një lajmi të mirë, që 11-vjeçari të largohet nga kampi i ISIS në Siri dhe të bashkohet me ta, kjo ëndërr ende nuk është bërë realitet.
Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një mesazhi në ‘Facebook’ ka ndarë me ndjekësit shqëtësimin për faktin se ende nuk është bërë asgjë në lidhje me rastin e Alvinit, ndërsa akuzon qeverinë se kjo e fundit nuk interesohet.
“Alvini per narkoshtetin nuk ekziston! Vetem bota interesohet per ate! Sb”, shkruan Berisha, ndërsa ka postuar edhe një foto me një mesazh të një qytetari ku shihet kulla Pirelli në Milano që ka ndezur dritat dhe mban në fasadën e saj mbishkrimin “Free Alvin” (Lironi Alvinin).
Ishte pikërisht emisioni investigativ italian “Le Iene”, që publikoi historinë e familjes së ndarë shqiptare, dhe që gjeti në kampin sirian vogëlushin Alvin, i cili me lot në sy kërkonte të largohej prej aty.
Historia bëri mjaft bujë edhe në Shqipëri, ndërsa është mjaft e vështirë sjellja e tij këtu, për shkak të luftës që ka nisur në Siri. Por, italianët vijojnë t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje, teksa së fundi Këshilli Rajonal i Lombardisë ka ndërmarrë një iniciativë në ndihmë të 11-vjeçarit, siç ishte dhe mbishkrimi në fasadën e kullës Pirelli në Milano.