AMA vijon thirrjet ndaj mediave: Mbrohuni, ndalohet publiku në emisione

Autoriteti i Mediave Audiovizive në vijim të komunikimit me operatorët audiovizivë në marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, rikujton subjektet audiovizivë për vëmendje të shtuar në mbrojtjen e publikut dhe personelit në studio televizive dhe redaksitë e informacionit.

AMA falënderon të gjithë subjektet audioviziv që kanë respektuar rregullat e distancës të këshilluara nga autoritetet shtetërore, në këtë kuadër po risjellim në vëmendjen tuaj njoftimin e përcjellë për mediat në datën 11 mars 2020.

Njoftim për mediat audiovizive mbi mbrojtjen e personelit brenda mjediseve të redaksive dhe studiove

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, duke ndjekur situatën me përpjekjet që po bëhen për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, kujton subjektet audiovizive që të kujdesen me përgjegjësi maksimale për personelin që angazhojnë brenda mjediseve të redaksive e studiove të regjistrimit dhe transmetimit.

Në këtë periudhë të ndalohet prezenca e publikut të përqendruar në programe televizive direkte ose të regjistruara.

Në formatet informative apo forum, të mos ketë më shumë se 2 persona të pranishëm, duke respektuar distancat apo standardet që janë përfshirë dhe në udhëzimet që ka bërë publike së fundmi Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Shtimi i lidhjeve direkte, në distancë, mënjanon rreziqet e transmetimit të virusit.

Angazhimi dhe puna voluminoze e redaksive audio dhe audiovizive për raportimin dhe mbulimin e zhvillimeve në terren, duhet të marrë parasysh dhe shëndetin e personelit gazetaresk dhe mbështetës, për të mënjanuar efektet e padëshiruara nga raste të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Duke vlerësuar shëndetin e qytetarit mbi gjithçka, AMA, nga data 12.03.2020 do të monitorojë transmetimet audiovizive dhe për rastet e evidentuara të neglizhencave apo shkeljeve të kërkesave të mësipërme do të fillojë procedurat administrative.

SHKARKO APP