Ambasada Britanike thirrje Opozitës:Fakto akuzat për “Crown Agents” ose tërhiqi

 

Ambasada Britanike reagon ashpër ndaj politikanëve shqiptarë duke i kërkuar të faktojë akuzat për praktika korruptive nga kompania britanike, “Crown Agents” ose në të kundërt t’i tërheqë.

Ambasada madje kujton se korrupsioni në biznes, përfshirë edhe kompanitë britanike që punojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar klasifikohet si krim dhe hetohet nga policia britanike.

“Gjatë ditëve të fundit, disa politikanë dhe komentues shqiptarë kanë artikuluar në shtypin e shkruar dhe atë elektronik, akuza të rënda për praktika korruptive ndaj një kompanie britanike, Crown Agents.

Qeveria britanike i trajton çështjet e korrupsionit me shumë seriozitet. Korrupsioni në biznes, përfshirë edhe kompanitë britanike që punojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar klasifikohet si krim sipas UK Bribery Act (legjislacionit britanik mbi mitmarrjen). Çdo provë për korrupsion të kryer nga një kompani britanike duhet të sillet në vëmendjen e Policisë Britanike, qoftë drejtëpërdrejtë, qoftë përmes kësaj Ambasade” thuhet në njoftimin që kjo ambasadë ka sjellë për median mesditën e 24 korrikut 2015.

Ambasada:Crown Agents është një kompani e respektuar – Ambasada kërkon të nënvizojë se “Crown Agents është një kompani e respektuar britanike, e cila ka qenë më parë një agjenci e qeverisë britanike dhe shumë nga stafi i saj janë ish-zyrtarë të qeverisë” . Madje “Një prej ministrave në qeverinë e tanishme është pjesë e Bordit Menaxhues të Crown Agents.”

Thirrja e ambasadës: Sillni prova ose tërhiqni akuzat– “Nga ana tjetër, politikanë të caktuar shqiptarë kanë hedhur vazhdimisht që prej shtatorit 2013, akuza për korrupsion ndaj Crown Agents. Gjatë gjithë kësaj kohe, ata asnjëherë nuk i kanë mbështetur akuzat e tyre me fakte konkrete. Në këto rrethana, gjëja e duhur për t’u bërë është ose faktimi akuzave ose tërheqja e tyre”  thuhet në vijim të deklaratës për shtyp e cila mbyllet duke deklaruar “Në fakt, duket qartë që këto akuza nuk janë të besueshme dhe duhet të mos merren parasysh nga Parlamenti dhe opinioni publik.”

Kontrata e kompanisë Britanike që mbikqyr doganat shqiptare ka qenë shpesh objekt i opozitës në deklaratat e saj. Kryetari i PD Lulzim Basha kërkoi dje ndërprerjen e kontratës  Arsyeja sipas tij lidhet me 150 milion dollarë që mungojnë në arkën e shtetit.

SHKARKO APP