Ambasada e SHBA në Ditën Trashëgimisë Audiovizive, kujton dokumentimin e muzikës iso-polifonike shqiptare
Ambasada Amerikane në Tiranë, përmes një postimi të bërë në faqen e saj zyrtare në rrjetin Facebook, sot në Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizive, për të shënuar këtë ditë, ka vënë në pah një nga projektet e para të Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP) në Shqipëri: dokumentimin në vitin 2006 të muzikës iso-polifonike shqiptare.
“Sot është Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizive, e themeluar nga UNESCO në vitin 2005 për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së të dhënave audiovizive dhe vlerave të tyre kulturore. Për të shënuar këtë ditë, po vëmë në pah një nga projektet e para të Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP) në Shqipëri: dokumentimin në vitin 2006 të muzikës iso-polifonike shqiptare. Ky projekt, me vlerë 23,740 dollarë, prodhoi një enciklopedi që ofron njohuri të pasura mbi iso-polifoninë, që gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Duke i ruajtur këto materiale, ne sigurohemi që brezat e ardhshëm të kenë qasje dhe të vlerësojnë pëlhurën e pasur të historisë dhe kulturës shqiptare.” shkruhet në postimin e ambasadës.
Kujtojmë gjithashtu se në vitin 2006, muzika iso-polifonike shqiptare u dokumentua dhe u njoh nga UNESCO si një nga kryeveprat e trashëgimisë gojore dhe jomateriale të njerëzimit. Ky lloj muzike përfaqëson një traditë unike dhe të lashtë, veçanërisht të përhapur në jug të Shqipërisë, në zonat e Labërisë dhe të Toskërisë.
Iso-polifonia shqiptare është një formë këngësh korale ku ndërthurja e zërave krijon një harmoni të veçantë. Ky stil muzikor ka dy pjesë kryesore të këndimit: iso-në (një bazë e qëndrueshme vokale, zakonisht në formën e një zëri të thellë që vazhdon një notë ose një seri notash) dhe zërat që ndërlidhen lart përmes linjave melodike. Karakteristikë e veçantë e kësaj muzike është se kënduesit përdorin një formë unike të ndërthurjes së zërave, ku iso-ja shërben si shtyllë dhe çdo zë kontribuon në mënyrë të dallueshme.
Ky njohje nga UNESCO e vitit 2006 kontribuoi në rritjen e vëmendjes ndërkombëtare për këtë formë arti dhe ndihmoi në mbrojtjen dhe promovimin e saj si pjesë e rëndësishme e identitetit dhe kulturës shqiptare.
Albert Vataj / Koha Jonë