Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën e 20 shkurtit: Kujdes!
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë si rrallëherë ka këshilluar qytetarët amerikanë dy ditë para që të shmangin zonën ku pritet të zhvillohet protesta e Partisë Demokratike më 20 shkurt. Si rregull ambasada njofton ditën e protestës, por këtë herë ajo që sot me datë 18 paralajmeron për datën 20. Me sa duket duhet të kenë informacione të besueshme se protesta do të jetë edhe me egër se sa me datë 10 shkurt.
Ja se çfarë shkruhet te njoftimi i ambasadës amerikane:
“Protestuesit pritet të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, ndërmjet Sheshit ‘Nënë Tereza’ dhe Sheshit ‘Skënderbej’. Autoritetet kanë paralajmëruar për prani të shtuar të policisë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestës. Sipas Policisë së Shtetit, ekziston mundësia që protestuesit të bllokojnë kryqëzime të ndryshme në zonën qendrore të qytetit. Personeli i Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë zonën e demonstratës. Qytetarëve amerikanë dhe publikut në përgjithësi u rekomandohet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada shton se, edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi.
“Demonstrata mund të shtrihet në rrugë dhe institucione përreth, duke shkaktuar devijime trafiku dhe mbyllje të rrugëve.
– Shmangni zonën e protestës
– Qëndroni vigjilentë dhe të ndërgjegjshëm për rrethinën
– Kufizoni përdorimin e telefonit ose kufjeve në publik
– Monitoroni mediat lokale për informacione të fundit
– Keni gjithmonë një plan emergjence ose dalje alternative
– Mbani profil të ulët dhe prioritizoni sigurinë personale”, përfundon njoftimi.
Shënim: Foto kryesore është ilustrim i KJ për ngjarjen e pritshme
KOHA JONË SONDAZH

