Ambasada franceze dhe gjermane: Shqiptarë mos shkelni rregullat

Ambasada e Francës dhe ajo e Gjermanisë përmes një deklarate të përbashkët i kanë drejtuar një apel shtetasve shqiptarë që të mos shkelin rregullat e përcaktuara nga liberalizimi i vizave, duke vënë theksin se kërkesat për azil nuk do të pranohen.

"Më 29 janar, në Aeroportin e Tiranës, 50 shtetas shqiptarë, të cilët nuk kishin respektuar kushtet e qëndrimit në hapësirën Schengen, konkretisht në Francë dhe në Gjermani, janë riatdhesuar në Shqipëri.

Numri i këtyre fluturimeve të përbashkëta evropiane për riatdhesim nuk është ulur dhe nuk do të ulet, sepse këta shtetas me qëndrim të parregullt përpiqen para së gjithash të emigrojnë për arsye ekonomike, gjë të cilën dy vendet tona nuk mund ta pranojnë.

Shqipëria është renditur tashmë nga organet më të larta juridike franceze në listën e vendeve me origjinë të sigurt. Në Shqipëri, themelet e demokracisë janë stabilizuar.

Nuk duhet të keqpërdoret procedura e kërkesës për azil, e cila u rezervohet në mënyrë strikte vetëm refugjatëve politikë të vërtetë. Statusi i refugjatit nuk do t’u jepet të ashtuquajturve azilkërkues, arsyet e vërteta të të cilëve janë ekonomike.

Për më tepër, liberalizimi i regjimit të vizave midis Shqipërisë dhe vendeve të hapësirës Schengen, ku bën pjesë Franca dhe Gjermania, është një masë e drejtë dhe efikase. Por ajo është e shoqëruar me rregulla, të cilat nuk lejojnë abuzimet.

Ky liberalizim lejon të vizitohen vendet tona ose të kërkohen edhe viza afatgjata për të bërë studime ose për të punuar në mënyrë të rregullt.

Ne nuk mund të pranojmë që të anashkalohen këto procedura, sepse kjo është në dëm të pjesës dërmuese të qytetarëve shqiptarë, të cilët i respektojnë këto rregulla.

Kjo do të dëmtonte interesat e Shqipërisë në përpjekjet e saj të konsiderueshme për t’u integruar një ditë në Bashkimin Evropian.

Përveç kësaj, riatdhesimi i shtetasve shqiptarë mund të sjellë si pasojë ndalimin e hyrjes dhe të qëndrimit të tyre në zonën Schengen për disa vite.

Për këtë qëllim, fluturimi i përbashkët franko-gjerman i 29 janarit është një tregues tjetër i vendosmërisë dhe bashkëpunimit të vendeve të hapësirës Schengen në luftën kundër emigracionit të parregullt", thuhet në deklaratën e përbashkët të dy Ambasadave.

SHKARKO APP