Ambasada Gjermane: Të mërkurën e të enjten dy avionë riatdhesojnë shqiptarë

 

Këtë javë në vendin tonë do të mbërrijnë nga Gjermania dy avionë charter me azilkërkues shqiptarë. Lajmin për riatdhesimin e ka bërë të ditur ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Dy avionët do të mbërrijnë në Shqipëri ditën e mërkurë dhe të enjte.

1.       Të mërkurën, më 12.08.2015, ora 15.50 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” nga Kasseli (Hessen) një avion charter me një numër prej 70 shqiptarësh të dëbuar.

2.       Të enjten, më 13.08.2015, ora 13:00 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë një tjetër avion charter me një numër prej 125 persona, të cilët do të kthehen vullnetarisht.

Më tej në njoftimin e ambasadës Gjermane bëhet e qartë se nuk ka azil ekonomik dhe ata që janë do të kthehen, ndërsa shpenzimet për kthim do të bëhen nga vetë azilkërkuesit.

“Në Gjermani nuk ka azil ekonomik! Ndërkohë aplikimet për azil nga Shqipëria do të përpunohen më shpejt. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t’i paguajnë azilkërkuesit. Ato janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane.

Për ta bërë edhe më të qartë dhe më të besueshme ambasada ka bërë publike edhe një email që ka ardhur në adresë të saj më 6 gusht nga një familje shqiptare që ndodhet për azil në Gjermani. Familja shqiptarë shpreh zhgënjimin e madh dhe kërkon kthimin ne atdhe.

“Përshëndetje,ne jemi një familje shqiptare. Para disa ditësh mbërritëm në Gjermani dhe aplikuam për azil në Mynih (München). Tre ditë më pas u transferuam në Eisenberg. Këtu po shohim se gjërat nuk janë ashtu si na thonin të tjerët kur ishim në Shqipëri. Duam të kthehemi përsëri në vendin tonë pasi kemi dy fëmijë të mitur dhe një grua të moshuar, të cilët qajnë gjithë ditën. Administrata e azilit këtu na thotë se duhet të presim katër javë dhe duhet të paguajmë vetë biletat e kthimit. Por ne i kemi shpenzuar të gjitha paratë për të ardhur këtu dhe ndërkohë nuk kemi marrë para ndihmë. Ajo çka duam është vetëm të kthehemi në Shqipëri. Ju lutem na ndihmoni!”

SHKARKO APP