“Ambasada në Athinë një zyrë elektorale e PS”, PD-ja: Të hetohen Gjiknuri, Kumbaro dhe Duro
Këtët të hënë, sekretari për Emigracionin dhe diasporën në PD Indrit Hoxha, në një deklaratë për mediat, tha se ambasada e Shqipërisë në Athinë është kthyer në zyrë elektorale të PS-së. Mes akuzave, Hoxha i referohet takimeve që ka mbajtur PS-ja me shqiptarët në këtë ambasadë. Po ashtu Hoxha pohon se “Partia Demokratike dënon me forcë praninë në takim dhe implikimin e ministres Mirela Kumbaro, sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe deputetit Laert Duro, dhe u bën thirrje organeve përkatëse të hetojnë këtë shkelje flagrante”.
Deklarata e plotë
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është kthyer në zyrë elektorale të Partisë Socialiste. Informacione të konfirmuara, ardhur në Partinë Demokratike, bëjnë me dije për organizimin e një takimi të brendshëm partiak në mjediset e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Athinë.
Duke shkelur çdo ligj të shtetit dhe kod të etikës, zyrtarë të lartë të PS kanë kryesuar të shtunën në një takim organizativo-elektoral, brenda zyrave ku stema është e Republikës së Shqipërisë. Futja aty e flamujve dhe simboleve partiakë është mjerim dhe përdhosje e idesë së shtetit.
Përvetësimi i simboleve kombëtare, hapësirave shtetërore, dhe devijimi i vullnetit të taksapaguesve shqiptarë për qëllime partiake, është një rekord i zi që nuk i bën nder shtetit dhe as një PS-je normale. Partia Demokratike dënon me forcë praninë në takim dhe implikimin e ministres Mirela Kumbaro, sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe deputetit Laert Duro, dhe u bën thirrje organeve përkatëse të hetojnë këtë shkelje flagrante.
Partia Demokratike dënon gjithashtu një shkelje të dytë, caktimin e atasheut ushtarak Roland Berxhani, si koordinator për zgjedhjet në degën e PS në Athinë. Përfshirja e një zyrtari, aq më shumë një atasheu ushtarak në punë partiake, cënon jo vetëm dinjitetin e Forcave të Armatosura të një vendi të NATO-s, por ul kredibilietin e ambasadës dhe shtetit shqiptar te bashkatdhetarët tanë atje.
Kthimi i Amabsadës në zyrë me aneks të Partisë Socialiste është një atentat tjetër që partia në pushtet i bën shtetit dhe imazhit të Shqipërisë. Ju bëjmë thirrje bashkatdhetarëve tanë në Greqi të na informojnë për çdo kundravjatje dhe problem të tyrin atje. Partia Demokratike do t’u jetë në krah.