Ambasada SHBA mbështet shkarkimin e Hajdarmataj. Priten arrestime VIP
Shkarkimi i drejtuesit të prokurorisë së krimeve të rënda Besim Hajdarmataj nga kryeprokurorja e përgjithshme Arta Marku duket se nuk ka qenë vendim vetëm i saj. Me sa duket ka patur linja interferuese edhe me ambasadën amerikane në Tiranë. Nuk flitet për Hajdarmataj që heton ish-ministrin Tahiri, pasi do t’ja lenë prapë këtë dosje, por me drejtimin e kësaj prokurorie dhe dosjet që priten të mbërrijnë në prokurori gjatë ditëve në vijim, sikurse e paralajmëroi kryeministri Rama kur tha se në javët në zhvillim do ketë arrestime. Natyrisht kryeministri nuk mund të kënaqet me dosjet që pritet të shkojnë te drejtuesja e re e prokurorisë së krimeve të rënda zj.Prela, nëse do të ishin për ish-ministra apo ministra të PS-së. Me sa shikohet do jenë dosje përveluese ndaj emrave nga opozita. Dhe jo vetëm.
Por të mos ngutemi, sepse në ditët në vijim, deri para takimit të fundqershorit të kryetarëve të shteteve të BE ku do vendoset për statusin e Shqipërisë, pra deri atë ditë do kemi arrestime VIP.
Kjo gjë kuptohet mes rreshtave të shkruara të ambasadës amerikane në Tiranë, fill pas shkarkimit të Besim Hajdarmataj. Duket se do ketë arrestime VIP. Mjafton të lexoni deklaratën dhe kuptohet hapur se mbështesin shkarkimin e Besim Hajdarmataj dhe emërimin e zonjës Donika Prela.
“Ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme. Jemi gati të mbështesim një prokurori që ka vullnetin dhe aftësinë të punojë për këto çështje të rëndësishme të krimit dhe korrupsionit në mënyrë të efektshme dhe pa vonesa”- thuhet në një reagim të Ambasadës Amerikane për mediat.
Kush don të kuptojë e merr vesh se mënjëherë do kemi dosje VIP, të cilat nuk ia kanë besuar Besim Hajdarmataj, ndaj e shkarkuan. Donika Prela tregojnë në prokurorinë e Durrësit ishte e rreptë dhe korrekte me detyrën. Me sa duket rreptësia e saj do jetë e ftohtë akull kur të firmos arrestime politikanësh VIP në ditët në vijim.
Dosjet e para shkuan që sonte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Njëra është shumë “djegëse” për një politikan të nivelit të lartë.