Ambasadat në Tiranë bëjnë thirrje për dialog, PS dhe PD nuk duan negociata
Thirrjet e ndërkombëtarëve kanë rënë në vesh të shurdhët. Nënkryetarja socialiste e kuvendit, Ermonela Felaj thotë se opozita nuk mund t’i imponohet mazhorancës duke protestuar në Parlament.
”Bëhet thirrje për dialog? Dakord. Por dialogu nuk mund të vendoset mbi bazën e veprimeve të dhunshme dhe mbi bazën e imponimeve që kërkojnë. Sa kohë ata të vendosën me veten se ku janë? Cilës parti i takojnë? Kush është kjo parti dhe kush është kryetari i tyre? Ne do të vijojmë të shohim manifestime të tilla, por puna do të vazhdojë”, tha Felaj.
Kurse për Sali Berishën, nuk mund të negociohet mbi respektimin apo jo të Kushtetutës. Ndaj, Sali Berisha mendon që e vetmja rrugë është zbatimi i saj. “Çfarë negociatash. Me Kushtetutën nuk ka negociata. Të zbatohet Kushtetuta. Po kërkojmë ndonjë gjë ekstra. Vetëm Kushtetutën. Të zbardhen vendimet”, u shpreh Berisha.
Mungesa e vullnetit për të ulur tensionet dhe gjetur dakordësinë politike, u shfaq edhe në përgjigjen që mazhoranca i ktheu aksionit të opozitës në seancën e së hënës, me përjashtimin e 4 deputetëve demokratë, me në krye Gazmend Bardhin, Flamur Nokën, Bledion Nallbatin dhe Flamur Hoxhën. Socialistët në sekretariatin etikës falën dy koleget gra demokrate Albana Vokshin dhe Sorina Kotin.