Ambasador në Kinë, kandidati Poda: Linjë fluturimi direkte dhe hapje drejtë tregut kinez

Komisioni për Politikën e Jashtme pranë Kuvendit zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatin për ambasador në Republikën Popullore të Kinës, Riza Poda. Gjatë prezantimit të objektivave të tij, Poda u shpreh se prioretet mbetet intensifikimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve që dikur kanë qenë partnerët më të ngushtë me njëri tjetrin.

“Kina është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë për vitin 2023, me tendencë rritje për vitin 2024. Do të ruaj qëndrime elastike dhe të balancuara në përcjelljen e mesazheve të interesave të Shqipërisë në marrëdhëniet dypalëshe dhe njëkohësisht të qëndrimeve tona si vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE për çështje të ndjeshme për Kinën”, tha Poda.

Turizmi ishte aspekti i dytë që Poda nënvizoi si prioritare në detyrën e tij si ambasador në Kinë duke caktuar si objektiv edhe vendosje ne një linje fluturimi Tiranë-Pekin-Tiranë. “Një linjë ajrore direkte që lidh të dyja vendet besoj se do të shënojë një bum të pallogaritshëm të fluksit të turistëve kinezë drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Në 3 mandatet që kam kryer në shtete të tjera kjo është realizuar. Me Greqinë u vendos linjë direkte, po ashtu me Republikën Çeke dhe Kroacinë. Kjo ka një ndikim të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin dypalësh. Nuk është thjesht dëshirë, por mbështeten në treguesit në rritje të fluksit turistik nga Kina”, u shpreh Poda.

SHKARKO APP