Ambasadori i BE i përgjigjet Ramës: BE po ndihmon Ballkanin. Lexoni deklaratën e komisioneres…
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka reaguar sot lidhur me ndihmën që Bashkimi Europian po jep për vendet e Ballkanit dhe Shqipërinë gjatë pandemisë.
Në një postim në Twitter në gjuhën shqipe, Soreca fton qytetarët që të lexojnë qëndrimin e komisioneres së BE për Shëndetësinë, Stella Kyriakides. “Përmes mekanizmit të ndarjes së vaksinave, ne do të ndihmojmë grupet prioritare në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne do të sigurojmë 70 milion € grante për BP.” Lexoni deklaratën nga Komisionerja e BE sot në Parlamentin Evropian”,- shkruan Soreca.
Reagimi i ambasadorit të BE vjen pas sulmeve të reja që Edi Rama bëri sot ndaj vendeve të BE, të cilat sipas tij kanë përjashtuar Shqipërinë dhe Ballkanin nga projektet për vaksinimin kundër koronavirusit. Kryeministri Edi Rama tha se nuk mund ta mbyllte gojën për BE dhe vendet e saj lidhur me vaksinën kundër koronavirusit. Replika e tij ishte dhe një përgjigje ndaj deklaratave të mëparshme të ambasadorit Soreca, i cili tha se ishte i habitur nga gjuha e përdorur nga Edi Rama.
“Keni frikë se mërzitet BE-ja? Nuk mërzitet BE-ja kaq kollaj. Edhe po të mërzitet, ku është problemi në këtë rast, nëse kjo është e vërtetë? Nuk është e vërtetë që u vendos që të lihen jashtë nga aksesi për vaksinim direkt vendet e rajonit? …Nuk harroj asnjë ditë, asnjë sekondë, kauzën e BE-së e kam mbrojtur dhe e mbroj me pasion. Për çfarë ma tregojnë mua që japim kaq e japim aq? Patjetër, ato i di përmendësh, po ku lidhen këto të dyja? Duhet të themi faleminderit shumë dhe bravo që na latë jashtë, apo të mos flasim fare e të bëjmë sikur nuk kuptojmë. Është shumë e thjeshtë. Ne jemi miq të pandarë me Bashkimin Europian, jemi partnerë, kam respekt absolut për gjithçka e bën Bashkimin Europian një forcë të pazëvendësueshme, por çfarë do të thotë kjo? Të mos hap gojën për të mbrojtur njerëzit e mi, njerëzit që përfaqësoj? Të mos hap gojën, për t’i sjellë sa më shpejt gjyshit e gjyshes tënde vaksinat? Pse, se mërzitet ambasada? As nuk më ka shkuar në mendje njëherë, pse duhet të mërzitej ambasada. Nuk kishte lidhje fare. Unë kam thënë një fakt, për të ilustruar që shpejtësia e vaksinimit është në disproporcion me sasinë në dispozicion për të gjitha vendet”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama në konferencën e mbajtur sot për mediat.
Pas kësaj deklarate, ambasadori i BE në Tiranë duket se e fton Edi Ramën të lexojë dhe njëherë qëndrimin e Komisioneres së BE për Shëndetësinë lidhur me çështjen e shpërndarjes së vaksinave.
Soreca gjithashtu ka publikuar një qëndrim të Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili thotë se BE ka nisur lëvizjet për të siguruar vaksinat anti-Covid për Ballkanin Perëndimor. “Për të siguruar front të përbashkët për të mposhtur Covid-19 dhe qasjen e menjëhershme të vaksinave, Bashkimi Evropian do të ngrejë mekanizëm për të strukturuar sigurimin e vaksinave anti-Covid, me vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor. Do të hulumtohet mundësia e mëtejshme për të siguruar vaksinat shpejt”, shkruan komisioneri Varhelyi në qëndrimin e tij.
"Përmes mekanizmit të ndarjes së vaksinave, ne do të ndihmojmë grupet prioritare në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne do të sigurojmë 70 milion € grante për BP."
Lexoni 👇 deklaratën nga Komisionerja @SKyriakidesEU 🇪🇺 sot në Parlamentin Evropian. #BEpërShqipërinë 🇪🇺🇦🇱 https://t.co/tJjSEQKUAm— EU in Albania (@EUinAlbania) January 19, 2021
To ensure united front to beat #COVID19 & early access to vaccines, @EU_Commission will set up mechanism to structure provision of vaccines shared by Member States, w special attention to #WesternBalkans & neighbourhood. Further options to provide vaccines early will be explored.
— Oliver Varhelyi (@OliverVarhelyi) January 19, 2021