Ambasadori i Britanisë në Tiranë, King-Smith thirrje nga Shkodra për politikën: Të ndalim të rinjtë të ikin
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith, nga Shkodra apeloi që të punohet për të rikthyer shpresën. Ai tha se falë partneritetit mes dy vendeve, tashmë ka më më shumë mundësi për të rinjtë. Të pranishëm në këtë takim ishin autoritetet qendrore e vendore nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
“Ne dëshirojmë të vazhdojmë të frymëzojmë njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri. Të rinjtë tanë janë aseti më i madh që kemi. Duke i mbështetur, ne, së bashku mund ta shndërrojmë veriun e Shqipërisë në një zonë mbresëlënëse. Shumë të rinj, veçanërisht nga veriu mendonin se mundësia e vetme dhe më e mirë ishte ta linin Shqipërinë dhe të udhëtonin në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Smith.
Teksa renditi investimet britanike në vendin tonë, mes të cilave edhe mbështetjen për hekurudhën Durrës- Prishtinë, Ambasadori tha se sërish shifrat janë në disfavor.
“Si pjesë e përpjekjeve tona në zhvillimin ekonomik, një nga arritjet më krenare të mia është krijimi i Dhomës Britanike të Tregtisë me bizneset kryesore britanike dhe shqiptare. Ne kemi ngritur Qendrat e Sipërmarrjes Rinore në Kukës, Has, Tropojë dhe Dibër, plotësisht të financuara nga Mbretëria e Bashkuar. Këto po ndihmojnë të rinjtë të njohin çfarë mundësish kanë. Tashmë e dimë që trafiku i qenieve njerëzore vazhdon të jetë një problem, veçanërisht në veri. Kësisoj, Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë 250 persona për të patur akses në shërbimet profesionale dhe mbështetjen për riintegrimin, përmes koalicionit kombëtar të strehëve, si edhe duke bashkëpunuar me policinë për hetimet”, tha ambasadori.