Ambasadori italian sulmon sërish Ramën: Mund të bëj më shumë për zgjidhjen e krizës
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, ka kërkuar sërish më shumë përgjegjësi nga ana e mazhorancës për të zgjidhur krizën politike. Në një intervistë dhënë gazetari Carlo Bollino në Report TV, Cutillo thotë se qeveria duhet të jetë më shumë e interesuar për ruajtjen e stabilitetit.
I pyetur për ofertën e Ramës ndaj opozitës për të miratuar reformën zgjedhore, ambasadori i OSBE shprehet se kryeministri “Duhet të bëjë më shumë sesa kaq”.
Kryeministri e ka bërë njëfarë propozimi. Ka thënë: të ulemi për të rishikuar së bashkë reformën zgjedhore, edhe me atë pjesë që nuk është më në Parlament, jemi gati të dialogojmë e më pas, mbi bazën e kësaj reforme, të shkojmë në zgjedhje vendore dhe eventualisht edhe në zgjedhje të parakohshme, nëse rezultati i votimeve vendore percakton një shumicë të re në vend. Ju duket i mjaftueshëm si propozim, apo mazhoranca duhet të bëjë diçka më shumë.
Sinqerisht mendoj se mund të bëjë më shumë. Natyrisht, këtu kemi të bëjmë me një zgjedhje politike dhe ky i imi është thjesht një vlerësim subjektiv dhe në asnjë mënyrë nuk pretendoj ta njoh situatën më mirë se Kryeministri apo kushdo tjetër. Por besoj se kur është fjala për reformën zgjedhore – unë e kam përjetuar këto tre vjet, por sigurisht historia shkon shumë vite prapa – ka njëfarë konfuzioni sepse po diskustuhet edhe votimi i emigrantëve, sistemi mazhoritar përkundër atij proporcional, e kështu me radhë. Besoj se është me vend të kufizohet fusha e veprimit tek pjesa me të vërtetë thelbësore. Që do të thotë, t’u jetet vazhdimësi rekomandimeve që përsëriti OSBE-ODIHR-i, pra duke iu përmbajtur çështjeve të ngritura në 2017, që gjithsesi janë të ngjashme me rekomandimet e mëparshme. Gjithsesi, edhe brenda tyre, shquaj dy linja kryesore: një që me siguri do të kërkojë një marrëveshje sa më të gjerë të mundshme që të mund të përkthehet në rregulla të reja zgjedhore – pra ajo çfarë parashikon propozimi i Kryeministrit – por që në këtë moment është shumë e ndërlikuar, nuk dua të them nëse është e mundur apo e gabuar, por të përfshish edhe opozitën formale – pra atë që është brenda Parlamentit – dhe gjithsesi të lësh një karrige edhe për opozitën jashtë, nuk e di, nuk do të rrezikoja në një terren kaq të rrëshqitshëm nga ana kushtetuese.
Por le të qëndrojmë tek thelbi: masat që kërkon OSBE-ja janë kryesisht administrative, pra kërkojnë që qeveria, kushdo që ta ketë në dorë administrimin e vendit, të marrë masa për të përmirësuar – le të themi – kushtet e votimit. Për shembull – po përmend vetëm një gjë, por ka edhe shumë shembuj të tjerë – mjafton të lexohen rekomandimet e OSBE-së, nuk është ndonjë dokument as i ndërlikuar, as i vështirë për t’u konsultuar, ku rekomandohet mbi të gjitha që të luftohet fenomenini i abuzimit me burimet financiare, e mbi të gjitha me burimet njerëzore të Administratës Publike, për të pëfituar mbështetje në zgjedhje, për propagandë zgjedhore e madje edhe për kërcënim ose shantazhin në rast se nuk votohet sipas udhëzimeve të drejtuesve. Këtu është e qartë se përgjegjësia qëndron ekskluzivisht tek ata që e kanë administratën në dorë. Për mua një hapje e besueshme, që do t’i jepte forcë qëndrimin të shumicës, do të ishte zbatimi i njëanshëm i këtyre masave, madje edhe pa pritur që opozita të ulet në tryezën e bisedimeve. Për shembull, mund të fillohet me fushata informuese për t’u shpjeguar qytetarëve se shitblerja e votës përbën krim, t’u shpjegohet nëpunësve se nuk duhet t’u nënshtrohen presioneve që kanë të bëjnë me zgjedhjet, por duhet t’i denoncojnë ato. Do të ishte një veprim me kosto pothuajse zero, që do të dëshmonte vullnet të mirë, sepse unë besoj se vendi ka nevojë për diçka të tillë. Palët mes tyre flasin shumë pak, nuk kanë më besim tek njëri-tjetri, dhe për këtë arsye një qeveri e përgjegjshme mund të ndërmarrë disa veprime pikërisht për të rikrijuar një klimë besimi.
KOHA JONË SONDAZH

