Ambasadori shqiptar në NATO: Sfidat e Aleancës janë në rritje, organizata duhet të jetë më e fortë dhe më e bashkuar
Ambasadori i Shqipërisë në NATO Leonard Demi në një intervistë dhënë në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se sfidat për aleancën sa vijnë dhe shtohen.
Demi theksoi se NATO duhet të jenë më e fortë dhe më e bashkuar, pasi një sërë vendesh si Kina e Rusia po e shtojnë fuqinë e tyre.
“NATO-30, që unë kam shkruar tregon se çfarë pritet që të bëjë komuniteti i aleancës në 10 vitet e ardhshme. NATO-30 është që të kemi një NATO me qasje më globale. Kjo do të thotë të ketë ndikim në të gjithë botën. Duhet një aleancë më e fortë dhe më e bashkuar. Rusia është një shtet që po kërcënon NATO-n. Rusia po investon në armatime të reja, duke përfshirë edhe raketa me rreze të mesme veprimi që mund të arrijnë çdo qytet europian.
Rusia po bashkëpunon edhe me Kinën. Grupet terroriste dhe ata islamiste kanë marrë zemër, duke kërcënuar aleancën. Kina po ngrihet, së shpejti do bëhet ekonomia më e madhe në glob. Kina po ashtu kërcënon të drejtat e njeriut, ka buxhetin më të madh ushtarak në botë pas SHBA-ve. Kina në garë për vlerat e jetesës. Është e pranishme në Afrikë e kudo. NATO duhet të jetë e përgatitur për të përballuar sfidat”, tha Demi.
Leonard Demi po ashtu tha se duhet që të shuhen mos-marrëveshjet që ekzistojnë edhe brenda Aleancës.
“Duhet të shuhen mos-marrëveshjet brenda NATO-s. Dihet se NATO është një aleancë jo vetëm ushtarake, por edhe politike. Dihet se nëse preket një vend i NATO-s, gjithë aleanca ndërhyn. Sekretari i Përgjithshëm ka përgatitur persona nga vende të ndryshme, që janë ftuar të japin ide. Të gjitha idetë do të bëhen me dije më 2021. NATO do që t’i bëjë ballë kërcënimeve, prandaj duhet të ketë armatim modern”, u shpreh Demi.
I pyetur për akt-akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, demi u shpreh se nuk mund të vësh shenjën e barazisë mes barbarive shekullore serbe dhe popullit shqiptar të Kosovës. Demi vlerësoi se çështjen e Kosovës duhet ta zgjidhë edhe BE, edhe SHBA-të e jo vetëm Amerika.
“Për mua, lufta e popullit shqiptar të Kosovës ndaj forcave pushtuese serbe është faqe e lavdishme që nuk mund të errësohet nga asgjë. Nuk mund të barazohen barbaritë e serbëve me shqiptarët e Kosovës. Sa iu përket akuzave, parlamenti i Kosovës e pranoi Gjykatën Speciale. Zgjidhja e Kosovës nuk mund të bëhet vetëm me pjesëmarrjen e SHBA, duhet edhe roli i BE-së. U mënjanua BE, u mënjanuan vende me rëndësi të BE-së si Gjermania dhe Franca. Shkuarja e Ramës në Kosovë ishte gabim. Vizita nuk kishte ndonjë zgjidhje. Faktori shqiptar duhet të punojë që çështja e Kosovës të zgjidhet me pjesëmarrjen e BE dhe të SHBA, të dyjave pra”, përmbylli ambasadori Demi.