Ambasadori Tola takon presidentin e INTERPOL-it në Paris, diskutime për forcimin e bashkëpunimit
Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, zhvilloi një takim në Paris me presidentin e INTERPOL-it, Lucas Philippe, ku në fokus ishte bashkëpunimi i Shqipërisë me Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale.
Gjatë takimit, ambasadori Tola përgëzoi presidentin Philippe për drejtimin e ri dhe dinamikën që, sipas tij, i është dhënë INTERPOL-it që prej zgjedhjes së tij. Tola riafirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për misionin e Organizatës.
Ambasada shqiptare në Francë theksoi se Shqipëria është anëtare e INTERPOL-it që prej vitit 1991 dhe se bashkëpunimi me këtë organizatë dhe rrjetin e saj ndërkombëtar vijon të jetë aktiv, veçanërisht në kuadër të luftës kundër krimit transnacional.
Sipas ambasadës, një tjetër dëshmi e bashkëpunimit ishte organizimi në Tiranë, në qershor 2024, i Konferencës Rajonale Evropiane të INTERPOL-it. Aktiviteti mblodhi rreth 160 zyrtarë të lartë të policive nga 54 vende, me fokus çështjet e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në takim u diskutuan edhe mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe INTERPOL-it.
Në këtë kuadër, sipas ambasadës shqiptare, u diskutua me interes edhe mundësia e një vizite të ardhshme në Shqipëri të presidentit të INTERPOL-it, së bashku me përfaqësues të tjerë të Organizatës.
KOHA JONË SONDAZH
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 3861

