Ambasadorja amerikane: Asnjë kandidat për deputet, i inkriminuar dhe i penalizuar nga SHBA
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka vendosur të flasë me emra për pastrimin e listave nga kandidatët që kanë precedentë penalë. Në një postim në rrjetet sociale, diplomatja e SHBA ka sjellë në vëmendje një njoftim zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 2018. “Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky përcaktim publik për korrupsion madhor, i vendosur nga Sekretari i Shtetit i SHBA-ve pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri votuesit e shqiptarë meritojnë më mirë se kaq”, shkroi ambasadorja Yuri Kim në Tëitter. Mesazhi shkonte dhe për një kandidat të PSD, që pritet të jetë në koalicion me PS. KQZ ende nuk ka përfunduar regjistrimin e partive politike dhe kandidatëve të gjithë forcave politike dhe mesazhi i Yuri Kim i drejtohet krerëve të partive si dhe drejtuesve të KQZ. Ambasada po kontrollon me kujdes çdo parti, dhe sidomos KQZ, që do të kandidojnë dhe miratojnë ndonjë kandidat me precedentë penalë si dhe të ndaluar nga SHBA. Kush guxon ta bëjë do përballet me një notë të egër nga Uashingtoni, që do jetë kosto e madhe politike, dhe jo vetëm, në Tiranë. Edi Rama po mundohet të kryejë një makinacion për futjen e disa emrave, ndërkohë ambasada e rrugës së Elbasanit po mban shënime!
Apeli i djeshëm i Yuri Kim është i katërti që Ambasadorja e SHBA bën brenda pak ditëve për drejtuesit politikë lidhur me pastrimin e listave të kandidatëve. Thirrjet që janë përgjithësuese për gjithë kryetarët e partive shkojnë në mënyrë direkte në adresë të Edi Ramës. PSD është aleate historike e Partisë Socialiste dhe thirrja e djeshme e Juri Kim është një apel personal për Edi Ramën dhe KQZ. Ndërkohë emrat e parë të kandidatëve që Edi Rama ka deleguar në rrethe flasin për të tjerë personazhe me probleme ligjore që janë caktuar të mbledhin votat për Partinë Socialiste. Në Vlorë janë të paktën dy emra që rezultojnë në pozicione drejtuese në shtabin e PS ose u është premtuar kandidimi nga aleatët e Ramës dhe që kanë probleme me dekriminalizimin. Në Elbasan një ish-drejtor i PS që u largua si pasojë e dekriminalizimit është caktuar për menaxhimin e fushatës. Në Berat, PS ka afruar pranë saj me premtimin e kandidimit, persona që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Lista në zona të tjera është me më shumë emra. Për të fituar mandatin e tretë kryeministri dhe njerëzit afër tij u kanë premtuar të gjithë personave me rekorde kriminale kandidimin ose favore të tjera nga pushteti, vetëm që të mbledhin vota për Rilindjen. Thirrjet e njëpasnjëshme të ambasadores së SHBA në Tiranë kanë qëllim pastrimin e listave të kandidatëve. Deri më sot, kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të tërhiqet përballë kërkesave të përsëritura të SHBA. Në deklaratat që ka dhënë për mediat, ka treguar se është gati të përplaset me SHBA duke i kujtuar ambasadores se kryeministri e di vetë punën e tij. Ambicia e mandatit të tretë mund ta çojë Rilindjen në një kurs të ashpër përplasje me aleatët tanë strategjikë dhe duke prodhuar zgjedhje të vjedhura dhe me kandidatë të paligjshëm.Thirrja e Ambasadores së SHBA për përzgjedhjen e kandidatëve, deri më sot, rezulton se është dëgjuar vetëm nga opozita. Partia Demokratike, në emrat që ka publikuar si drejtues fushate rezulton se ka përzgjedhur me kujdes politikanë që nuk janë të akuzuar për afera dhe nuk kanë pasur probleme ligjore. Ndërkohë risia e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Socialiste për Integrim. Në kandidatët që janë prezantuar në shumicën e qarqeve ka vetëm emra të rinjsh dhe të rejash që nuk mund t’u gjesh asnjë problem ligjor apo pengesë të ligjit të dekriminalizimit. Disa prej deputetëve dhe kandidatëve të saj në zgjedhjet e kaluara, që u penalizuan nga ligji i dekriminalizmit janë thirrur me urgjencë nga PS për të qenë pjesë e saj. Pra edhe atë llum që iu ngjit LSI ndër vite, tashmë e ka marrë PS me shpresën e futjes së tyre në lista partisht aleate, që të mund të bjerrin sa me shumë vota nga vota dhe ti kalojnë në koshin e PS.
Ndërkohë dje Elona Guri e LSI përkrahu hapur mesazhin e ambasadores amerikane për futjen e emrave të rinjë dhe që nuk kanë lidhje me krimin.
Mili Xhani