Ambasadorja e Francës flet për integrimin e Shqipërisë në BE: Kushtet duhen plotësuar
Ambasadorja e Francës në vendin tonë, Elisabeth Barsacq nga qyteti i Elbasanit ka folur për rrugën e integrimit Evropian të Shqipërisë në BE, duke theksuar se nuk ka hapa prapa, por përmendi kushtet e vendosura, të cilat tha se duhen plotësuar.
“Tani jemi në një etapë tjetër. Duhet ta keni të gjithë parasysh se në mars të këtij viti KE vendosi që negociatat me Shqipërinë do të hapen dhe ajo që po bëjmë tani është po negociojmë si do negociohet në të ardhmen. Por nuk ka hapa prapa, ne jemi gjithmonë të mendimit që ne duam të hapim negociatat. Siç e dini mirë ka kushte për të plotësuar, siç janë shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe kushte që janë vënë e s’doja ti përmendja me radhë. E kjo nuk varet as nga Franca, apo Polonia, por varet e gjitha nga Shqipëria. Sa i përket marrëdhënieve dy palëshe të Shqipërisë me Francën, kemi një lajm shumë të mirë, atë të ardhjes në Shqipëri të agjencisë franceze të Zhvillimit që do financojë projekte e bashkëpunime me qeverinë shqiptare. Mendoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që një ditë të jetë anëtare e BE”, tha ambasadorja.