”Amerika është me popullin”, Meta: Të gjitha poshtërsitë Rama i ka bërë duke përdorur SHBA-në
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se marrëdhëniet e tij me SHBA-të janë shumë të shkëlqyera, dhe se me qëndrimet që ka pasur, nuk ka cenuar kurrë interesat strategjike të SHBA-ve. “Të gjitha poshtërsitë Rama i ka bërë duke përdorur SHBA. Edi Rama e ka futur këtë lloj poshtërsie. Amerika është gjithmonë me popullin. Nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë problem me Amerikën”, tha Meta në “A show” në Syri TV. Për të tensionet në momente të caktuara kanë ndodhur pasi ambasadorët herë pas here janë manipuluar nga faktorë te ndryshëm.
Pyetje: Keni pasur informacione që që në momentin e parë të fillimit të mandatit të tij në Shqipëri, ambasadori Lu ka qenë i interesuar për të krijuar një klimë jo dashamirëse ndaj figurës tuaj publike. Unë nuk jam në gjendje ta konfirmoj, por keni pasur ju ndonjë informacion?
Ilir Meta: Nuk besoj se SHBA-ja apo ndonjë ambasador ka pasur apo ka ndonjë problem me mua. Gjithçka që mund të jetë vënë re si tension në momente të caktuara ka qenë rezultati i manipulimit të tyre nga persona të caktuar, ata janë manipuluar nga faktorë të ndryshëm dhe te mua kanë parë një pengesë si një mbrojtës jo vetëm të interesave kombëtare, por edhe raporteve strategjike.
Unë i referohem raportit tim me SHBA-në. Pse ka qenë i shkëlqyer? Sepse unë kam qenë i vërtetë në raportin me SHBA-në dhe se qëndrimet e mia nuk kanë cenuar interesat strategjike të SHBA.
Unë nuk jam shqetësuar asnjëherë, nuk kam folur kurrë në emër të Amerikës. Flas në emër të Ilir Metës dhe atë që përfaqësoj. Rama flet gjithë kohës në emër të SHBA-së, në emër të Vuçiç. Amerika është gjithmonë me popullin në fund të ditës.
Unë nuk kam pasur asnjëherë problem me Amerikën. Kurdo që të ketë një problem me mua, unë do iki atje, madje me shpenzimet e mia. Në Amerikë jam më i sigurt se në Shqipëri sepse është vend më demokratik.